Site icon Telegrafi

T’i gjenin dhe t’i varrosnin eshtrat e djalit të pagjetur – pengu i nënës nga Krusha e Madhe deri në momentin e vdekjes

Në çastet e fundit të jetës së saj, një nënë nga Krusha e Madhe kishte vetëm një peng: a është gjetur trupi i djalit të saj, Aliut.

Që të prehet e qetë në varr, djali i saj, Milazim Duraku, u detyrua t’i thotë nënës që e kanë gjetur trupin e Aliut.

Ali Duraku është një nga 64 viktimat e masakrës së Krushës së Madhe, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende.

Nëna e Aliut vdiq me merakun që t’i gjenin dhe t’i varrosnin eshtrat e tij aty ku janë varrosur trupat e dy djemve të tjerë të saj dhe të vrarëve të tjerë – në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe të Rahovecit.

“Ma e rana ka qenë për mua, nana pak para se me vdekë më ka pyet: “Milazim a e gjetët Alijën?”. Po thojnë nanë: “Po, po”. S’i dilke shpirti. Edhe vdiq. I kemi thanë: “Po, po”. Me rrejtë”- rrëfeu Milazim Duraku teksa ndërpreu intervistën nga lotët që i rridhnin e s’i mbante dot për ato orë sa qëndruam me të.

Përderisa rrëfente për mëngjesin e 25 marsit 1999, Duraku bënte pyetje retorike se pse u ndodhi pikërisht banorëve të Krushës së Madhe një tragjedi aq e madhe – prej të cilës varrosi dy vëllezërit, Isa dhe Nuhi Duraku, ndërsa eshtrat e vëllait tjetër, Aliut, akoma nuk i kanë gjetur.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë, 1,617 persona ende nuk janë gjetur që nga koha e luftës në Kosovë.

Si atëherë, banorët e Krushës së Madhe edhe këtë pranverë, të njëzetepestën me radhë, e presin me lot e dhimbje, në pritje të më të dashurve të tyre. Pikërisht atë ditë që nuk e prisnin, një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake dhe policore serbe, fshati Krushë e Madhe u bë dëshmitare e masakrës së 241 banorëve.

“Ne e patëm 24 marsin, u gëzuam, hypëm mu në këtë breg krejt anëtarët e familjes, i shihshim krejt aeroplanët, u gëzuam shumë, po s’e dijshim çka ka me na gjetë nesër. Edhe na dëbuan, data 25 mars, mëngjes, na dëbuan prej fshatit”- tregoi 60-vjeçari Milazim Duraku, duke ndarë secilin detaj të asaj dite që nuk i fshihen nga kujtesa.

Masakra e Krushës së Madhe nisi më 25 mars dhe zgjati deri më 27 mars 1999.

Milazim Duraku thotë që kishte parë me sytë e tij njerëz të vrarë, plaçkitje, e duke parë këtë tmerr me sytë e tij, me net të tëra ishte munduar që së paku nipat e tij t’i shpëtojë nga pushka e armikut.

Ditën e 25 marsit, ai së bashku me shtatë nipat e tij për katër net e pesë ditë pa ngrënë e pa pirë, strehë kishin gjetur në çatinë e shtëpisë së tij të djegur — shtëpi në të cilën edhe pse e rinovuar, akoma ka të njëjtën strukturë e mbi të gjitha edhe dritaren e tavanit të cilën të tetë anëtarët e familjes Duraku e kishin përdorur si kullë vrojtuese.

“Shpia jem u kanë e kallne krejt, po ni pjesë e çatisë e pakallne u kanë. Edhe i fsheha krejt [nipërit] në qoshe edhe vet, edhe tash t’u shku përmbrapa t’u i mbulu gjurmët. I mrami hypa nalt edhe po dëgjojmë” – tregoi Duraku.

Fillimisht, në mëngjes kur kishte nisur të rrethohej fshati, Duraku thotë që në mënyrë që të shpëtojë, ishin fshehur në mal. Por, më vonë shumica prej tyre ishin kthyer nëpër shtëpi për shkak të të ftohtit.

“Edhe u kthyen gjinia femërore, fëmijë e gra. Ne meshkujt jo, s’i besuam kopilit. U ndalëm nëpër mal”- rrëfen ai.

Por më vonë, siç tregon Duraku, iu ishte dashur të bartte familjarët e tyre, “se nanën invalide dhe kunatën invalide, i mora për më i pru këtupari për me i çu, krejt tenkat janë kanë përreth”.

Ndër të tjera, tashmë 60-vjeçari tregon se kishte arritur të fshihet që mos të dallohet se është burrë, duke mbajtur një fëmijë në dorë dhe gjësende para fytyrës.

“Edhe kur u bo të nesërmit në mëngjes, kur kanë hi policia çka kanë gjetë, a është qen a lopë, a njeri, me zemër e me gjak, i ekzekutojshin dhe i kallshin”- shpjegon Duraku, se kur vendosi të fshihej në çati.

Ai thotë që atëherë e kishte parë ushtrinë serbe duke ia marrë dy vëllezërit dhe dy djemtë e axhës. Porsa e kishte parë këtë skenë, i kishte tërhequr nipat e tij që t’i fshehë në tavan. Më i vogli ishte 14-vjeçar.

“Janë ulë e ata i morën, dy i ekzekutuan [familjarët e marrë nga forcat serbe] prej këtij bregut, ata nisën me ikë ma të mëdhenjtë, kurse vëllai jem, Nuhi Duraku, dhe Isai Duraku, drejtor i shkollës dhe kooperativës u nalën. Po i thanë ju krejt në rregull, po në xhami me neve. Unë e disha që kush shkon në xhami nuk kthehet ma” – tregon ai, duke bërë me dorë nga xhamia e fshatit.

Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë mbi 13,500 persona.

Nga dritarja lart, Milazim Duraku  thotë që kishte parë me sytë e tij duke u plaçkitur shtëpitë nga serbët e fshatit me të cilët kishin ndarë të njëjtën klasë.

Pasi kishin qëndruar katër net e pesë ditë pa ngrënë, të tetët kishin zbritur poshtë, kishin dalë jashtë për t’u strehuar në ndonjë vend tjetër, ndërkaq Milazim Duraku thotë se kishte mbetur i vetëm skaj lumit Drini i Bardhë për një javë, për shkak se nuk mund të ecte nga plagët si një sapo i dalë nga spitali.

“Na e kishin lanë granimi një copë bukë qikaq në ni shpi tjetër. Po ajo bukë nuk shkojke teposhtë, ngeli në fyt”- tregoi Duraku nën emocione.

“E pash që s’ka kurrgjë. Mbas një jave dola. Veç i kam thanë gruas, qit nanë edhe qita dy djem e çika me m’i këqyrë. Tha: ‘Po Milazim nuk ka problem hiç’. Kaq”- vazhdoi rrëfimin ai.

E tash, 25 vjet pas, Milazim Duraku që akoma pret një lajm për vëllanë e tij, ndihet i dëshpëruar që familja i ka mbetur vetëm me tetë anëtarë nga 75 se kishin qenë gjithsej para luftës.

“Edhe ata fëmijë [nipat] të rinjtë ma nuk janë, krejt kanë shku në Perëndim. Asnjë hiç prej tyre, e edhe këta të tjerët kanë dalë”- u shpreh i dëshpëruar ai.

E sot, Milazim Duraku ka tri dëshira: të zbardhet fati i të pagjeturve, drejtësia të vihet në vend e të rinjtë mos ta lëshojnë vendin, raporton Kallxo.

Exit mobile version