Site icon Telegrafi

T’i gjejmë teknokratët…

Kultura qytetare gjatë garës elektorale dhe procesit zgjedhor u dëshmua se po ecim drejt një konsolidimi demokratik, perëndimor. Po, kultura politike e akterëve politikë, në veçanti e lidershipit të partive, me një mendësi paksa inatesh, e bllokimesh, prej muajsh tashmë (nga 8 qershori), ngritën dilemën nëse do të mund të konsolidohen institucione të qëndrueshme dhe demokratike?!

Krejt e natyrshme, plotësisht legjitime, krejtësisht ligjore, që të zgjedhurit nga populli të synojnë formimin e institucioneve. Por, duket të jetë një domosdoshmëri rrethanore, nevoja, për ndjekjen dhe respektimin e procedurave si të parapara me legjislacionin në fuqi. Dy blloqet, ai parazgjedhor dhe fitues i zgjedhjeve dhe ai paszgjedhor, duket të jenë fokusuar në dy plane: së pari në përshtatshmërinë e tyre në kontekst social dhe politikë; së dyti, në pritshmërinë mbi efektet që po prodhohen brenda sistemit tonë politikë parlamentar.

Një shprehje sa artistike e filozofike, po aq edhe politike, thotë: Çdo publik ka shfaqjen që kërkon! Andaj publiku-qytetarët janë pritje dhe po e përcjellin shfaqjen.

Forma e qeverisjes ku drejtuesit dhe vendimmarrësit e institucioneve nuk janë të zgjedhurit nga vota, por të zgjedhurit me kompromis mbi ekspertizën e tyre profesionale, natyrisht se ndryshon nga ato demokracitë tradicionale ku të zgjedhurit janë ata/ato që me njohjen, me aftësitë përshtaten me kërkesat dhe interesat e shumicës së popullsisë votuese. Mbi këtë, edhe vendimmarrja e teknokratëve është e bazuar në ekspertiza dhe jo opinione politike. Për më tepër, teknokratët nuk e kanë as edhe karizmin politik që zakonisht duhet ta ketë një politikan që të ndikojë dhe imponojë një opinion tek publiku. Por një teknokrat mund të dëshmojë aftësi drejtuese e vendimmarrëse në zgjidhjen e problemeve me pragmatizëm profesional.

Pas rezultatit të zgjedhjeve, ripozicionimet e faktorit politik nga të dyja anët, mund edhe të jenë kërcënim i kësaj demokracie që e kemi. Me këtë ripozicionim mund ta konsiderojmë edhe mohim të demokracisë, andaj një qeveri teknokratësh do të ishte tejkalim i situatës, pa pasoja të mëdha politike e sociale. Jam në dijeni se disa do të ishin kundër kësaj ideje, madje për disa do të ishte dhe absurde, por çfarë mund të bëjmë tjetër kur durimi po bie. Fundja, qeveritë e teknokratëve janë formuar edhe në demokracitë shumë mirë të konsoliduara – kujto gjatë depresionit të madh në SHBA, kur u mendua se vetëm profesionistët e fushave do t’i jepnin zgjidhje kompleksitetit të ekonomisë atë kohë. Raste të tjera janë ekonomistët e përmasave ebropiane, Mario Monti. i emëruar si kryeministër i Italisë, dhe Lukas Papademos i emëruar si kryeministër i Greqisë.

Në vendet me sistem parlamentar, si i yni, ku Qeveria miratohet nga Parlamenti, mund të gjejë hapësirë konsoliduese, se sa në sistemet presidenciale ku presidenti ka të drejtë të zgjedh dhe propozojë kabinetin qeveritar. Meqenëse dy blloqet janë pozicionuar dhe nuk lëshojnë rrugë për konsolidim institucionesh, atëherë për tejkalim situate kërkohet zgjidhje, dhe zgjidhja mund të jetë krijimi i një qeverie teknokratike, ku do të mandatohej për një periudhë jo më gjatë se dyvjeçare; do të përgatiste vendin për zgjedhje; do t’i përfundonin reformat zgjedhore dhe kushtetuese, ndoshta të dhimbshme por të domosdoshme (dykuptimësia e dispozitave kushtetuese dhe procedurave të procesit elektoral do përmirësoheshin); askush nuk do të mund të thoshte se kjo qeveri është e “kësaj partie” por e mbështetur nga të gjitha; kjo legjislaturë do qëndronte dy vite dhe deputetëve do t’u njihej mandati; kjo qeveri mund të riorganizoj dikasterët qeveritarë dhe shkurtojë shpenzimet.

Krejt në thelb të çështjes është se faji pjesërisht ndahet tek të gjithë nga pak, për shkak edhe të rkonfigurimit të skenës politike si gjë e domosdoshme.

 

 

Exit mobile version