Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski sot mbajti një takim pune me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në takim është biseduar për gjendjen e Ministrisë së Brendshme, zgjedhjet e ardhshme dhe problemin e emigrantëve.
Ministri Spasovski, ka shprehur falenderime për bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe e ka theksuar angazhimin e MPB-së për të qenë në shërbim të qytetarëve, respektivisht të departizohet, dekriminalizohet dhe të profesionalizohet.
Kreu i delegacionit të BE-së Zhbogar tha se pajtohet që këto tre procese janë shumë të rëndësishme dhe se Bashkimi Evropian është i interesuar të ndihmojë në zbatimin e tyre.
Ai theksoi se pritjet e zgjedhjeve më 11 dhjetor duhet të jenë kredibile, gjë që do të jetë hap i parë drejt stabilizimit të gjendjes në vend.
Shefi i delegacionit të BE-së paralajmëroi ndihmë konkrete për Ministrinë e Punëve të Brendshme me menaxhimin e emigrantëve përmes donacionit të 31 automjeteve për terren të pajisura për mbikëqyrjen e kufirit. /Telegrafi/