Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, persona të panjohur kanë kryer një akt vandal , duke thyer dhe dëmtuar mbi 30 drunj dekorativë në shëtitoren e qytetit, që është bërë brigjeve të lumit Silnicë, që kalon në periferi të qytetit të Vushtrrisë.
Mësohet se për këtë ngjarje është vënë në lëvizje policia, e cila menjëherë ka hapur rast dhe është në përpjekje të gjetjes së autorëve. Komandanti i policisë, togeri Muhamet Alidema, ka deklaruar për portalin veriu.info se policia ka hapur rastin dhe është duke i zhvilluar hetimet intensive për kapjen e personave që kanë kryer këtë akt të shëmtuar, shkruan Veriu.info.
Rastin e ka konfirmuar edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Vushtrri, Gani Ymeri, i cili ka deklaruar se janë thyer dhe dëmtuar mbi 30 drunj dekorativë.
“Janë thyer dhe dëmtuar mbi 30 drunjë dekorativ mjaftë të kushtueshëm, të cilët i ka mbjellë dhe është përkujdesur Komuna. Në mesin e drunjtëve të dëmtuar ka edhe lloje të ‘Pollovnia’, të cilët Komuna i ka kultivuar rreth shëtitores së qytetit”, ka deklaruar Ymeri.
Lidhur me këtë rast Komuna kërkon bashkëpunimin e qytetarëve me policinë në mënyrë që ata që kanë kryer këtë akte të shëmtuar të dalin para drejtësisë.
Ky nuk është rasti i parë i dëmtimeve të drunjve në Vushtrri, të cilët janë dëmtuar edhe më parë, por jo në masë kaq të madhe.