Site icon Telegrafi

Thyerja e heshtjes së Egjiptit të lashtë

“Pastro rërën nga trupi im” … Sfinksi në Gizë me pllakën e hieroglifeve të deshifruar pas zbulimit të Gurit të Rozetës (foto: Mike P Shepherd/Alamy)

Nga: Andrew Gilchrist / The Guardian
Përkthimi (i pjesshëm i tekstit) nga: Telegrafi.com

Nga Kajro lëvizim me shpejtësi për në veri, duke u sulur përgjatë rrugëve të shpejta e të gjera, përmes një peizazhi me shkretëtirë, dhe duke shkuar në antikitet. Pas tri orëve arrijmë në Rashid – dikur i njohur si Rozeta, qytet-port në deltën e Nilit – dhe hyjmë në Fortesën Zhylien, duke ecur në drejtim të akrepave të orës rreth brendësisë së tij, derisa të arrijmë në cepin e parë dhe te arsyeja e udhëtimit tonë.

Në këtë vend, në vitin 1799 u bë një zbulim që tronditi botën. Mes rrënojave të themeleve të fortesës, një pllakë e errët një shkëmbi si granit, ra në sy të Pierre-François Bouchardit, toger në ushtrinë pushtuese të Napoleonit. Bouchard i shërbente oficerit Nicolas-Jacques Conté, që ishte shpikës i lapsit, dhe shpejt kuptoi domethënien e germave të gdhendura në pllakë.

Kjo copë granodioriti me 762 kilogramë, e ricikluar nga gjetkë për t’u përdorur si bllok ndërtimi, kishte të shkruar një dekret të lëshuar të vitin 196 p.e.s. në emër të mbretit Ptolemeu V. Kryesorja është se u shkrua tre herë: me hieroglife (shkrim i bukur piktorial dhe i lashtë egjiptian, që nuk mund të kuptohej më), demotik (germa të bashkuara të përdorura për shkrimin e përditshëm) dhe në greqishten e vjetër (gjuhë e njohur).

Këtu, në fund të fundit, ishte çelësi i deshifrimit të hieroglifeve, i atyre skicave të përsosura të njerëzve, kafshëve dhe objekteve të gërvishtura në gur ose të shkruara në papirus mijëra vjet më parë. Kodi më në fund u thye më 1822 nga Jean-François Champollion, i cili nxitoi në zyrën e vëllait të vet, duke bërtitur: “E kapa”! Dhe, më pas i ra të fikët dhe nuk ishte në vete për pesë ditë. Falë këtij filologu francez dhe disa studiuesve tjerë, përfshirë Thomas Youngun e Britanisë, 3000 vjetët e historisë egjiptiane, një prej qytetërimeve më të vjetra në botë, dolën në dritë.

Guri i Rozetës në Muzeun Britanik (foto: Amir Makar/AFP/Getty Images)

“Kjo nuk është vetëm egjiptologji”, thotë Ilona Regulski, teksa e emocionuar qëndron pranë kopjes që ndodhet aty ku u zbulua guri. “Është lindja e egjiptologjisë”!

Për të festuar 200-vjetorin e këtij zbulimi, një ekspozitë e madhe për hieroglifet, e kuruar nga Regulski, do të hapet në Muzeun Britanik në Londër, ku tani banon Guri i Rozetës – pasi ushtria britanike e merr nga francezët më 1801. Simboli i njohur i përpjekjeve për të kuptuar misteret e së kaluarës, është objekti më i vizituar i muzeut – dhe më komerciali. Një pjesë e madhe e dyqanit të dhuratave i kushtohet atij.

“Hieroglifet: Dekodimi i Egjiptit të lashtë” do ta vendosë këtë yll roku në qendër të skenës, me një kastë mbështetëse prej 240 eksponateve, përfshirë Pellgun e Magjepsur, sarkofagun e granitit, hieroglifet e të cilit besohej se kishin fuqi magjike, duke i dhënë kujtdo që lahej në të një lehtësim nga mundimet e dashurisë. Ndërkohë, hieroglifet do të ofrojnë njohuri për jetën në Egjiptin e lashtë, që nga poezia dhe traktatet ndërkombëtare, e deri te listat e blerjeve dhe deklaratat e taksave.

Për zhytje të mëtejshme dhe më të thellë në egjiptologji dhe hieroglife, Regulski po përcjell delegatët e Muzeut Britanik dhe disa gazetarë në një turne të stuhishme nëpër botën ku lindi Guri i Rozetës. Ndalesa jonë e radhës është Biblioteka e Aleksandrisë, një nga bibliotekat më të mëdha në Tokë. 2.5 milionë librat – ka vend për tetë milionë – janë vendosur në një strukturë mbresëlënëse 11-katëshe.

Pamje nga Biblioteka e Aleksandrisë (foto: Xinhua/REX/Shutterstock)

“Kjo është hapësira më e madhe e hapur e leximit në botë”, thotë udhërrëfyesja Ranine Essam, teksa lëvizim brenda. Secila nga dritaret e tavanit merr formën e një syri, me grila si qerpikët, të gjitha të mbajtura lart nga kolonat e modeluara sipas luleve të mbyllura të zambakut dhe të mbështjella me një guaskë të lakuar betoni, të krijuar për të thithur zërin. Detajet përfshijnë granitin e zi të Zimbabvesë dhe bronzin egjiptian të oksiduar, të destinuara për t’i imituar materialet e gjetura në varret e lashta.

Essam na çon hapësirë pas hapësire, secila e stolisur me piktura dhe statuja të lashta dhe moderne, derisa të arrijmë te një shfaqje e madhe interaktive. Me një tundje të dorës, bën që të shfaqet një arkivol kaltër i errët, të rrotullohet, e më pas t’i hedh shtresat: kalojmë nga arkivoli i brendshëm në mbështjellës, derisa të zbulohet skeleti – krahët e kryqëzuar, me amuletë, vathë dhe një pjesë në gojë për ta mbajtur hapur për jetën e përtejme.

Muzeu Britanik do të shfaqë edhe mumjen e Baketenhores, që dikur besohej se ishte princeshë. Mbishkrimi i Baketenhores, i përkthyer nga Champollioni, është lutje për disa perëndi për shpirtin e të ndjerës.

Ekspozita do të ndalet edhe në historinë e jashtëzakonshme të Ahmed Kamal Pashës, kuratorit që shkroi pothuajse si hobi fjalorin e parë të gjuhës së lashtë egjiptiane. 20 vëllimet e tij (dy mungojnë) tani po restaurohen dhe ruhen me kujdes në një laborator në bodrumin e Bibliotekës. Essam na çon brenda, ku ekipet e vajzave të reja punojnë në heshtje nëpër tavolinat gjigante. Ato janë të rrethuara nga 21 posterë të mëdhenj me kornizë, ku secili përmban katër pamje të afërta të baktereve dhe kërpudhave të ndryshme që prekin librat.

Biblioteka u ndërtua për të përkujtuar Bibliotekën e Madhe të Aleksandrisë, një nga bibliotekat më të mëdha dhe më domethënëse të botës antike, e cila e shndërroi qytetin në një kryeqytet të dijes. Disa vlerësojnë se ishin 400 mijë papirusë, me lëndët nga matematika dhe astronomia, deri te fizika dhe shkencat natyrore. Ato janë zhdukur në një zjarr.

Kthehemi në Kajro dhe nisemi për në Institutin Francez. Napoleoni ka marrë dy mijë artistë në fushatën e tij dhe rezultati ishte “Përshkrimi i Egjiptit” me 10 vëllime, një përpjekje kaq e madhe botuese saqë u deshën më shumë se 20 vjet për ta përfunduar. Agnès Macquin, kuratore e bibliotekës së institutit, nxjerr një palë doreza të bardha dhe na flet për kopjen e botimit të parë.

“Këta tre gjarpërinjtë”, thotë ajo, teksa arrijmë në pjesën e detajeve të kafshëve, “u deshën dy vjet për t’u gdhendur”. “Një mijë kopje u botuan në botimin e parë”, shton ajo. “Por, ishte kaq e kushtueshme, saqë vetëm 200 u shitën në vitin e parë”. Kopja e Muzeut Britanik, jo me ngjyra si ky dokument magjepsës, do të shfaqet në ekspozitë.

Maska e vdekjes e Tutankhamunit (foto: Khaled Desouki/AFP/Getty Images)

Të nesërmen në mëngjes, Regulski na çon në një turne në Muzeun Egjiptian, një ndërtesë e bukur në sheshin Tahrir të Kajros. “Ky muze është me të vërtetë anija mëmë”, thotë ajo teksa kalojmë një fron të artë dhe një statujë që ka humbur gishtin e këmbës. “Mund të kaloj pesë vjet vetëm duke e studiuar këtë”, psherëtin Regulski, duke u ndalur te një arkivol prej druri të zbukuruar me hieroglife, përpara se të na japë një koment në dhomën e Tutankhamunit.

Kur thesaret e djalit-mbret iu dhanë hua Britanisë në vitin 1972, ato shkaktuan sensacion, me njerëzit që rrinin në radhë gjatë natës. “Është mbuluar me një kobër dhe një shkabë”, thotë Regulski, “duke nënkuptuar sundimin e tij të Egjiptit të poshtëm dhe të sipërm”. Më pas ajo vë në dukje hieroglifet e gdhendura në maskë, një magji nga “Libri i të vdekurve”. Versioni i këtij teksti funeral që shoqëroi mbretëreshën Nexhmet në jetën e përtejme – i ilustruar në një copë papirusi më shumë se katër metra të gjatë dhe tre mijë vjet të vjetër – do të shfaqet në ekspozitën e Muzeut Britanik.

“Mbretëresha Nexhmet gjithashtu koordinoi vrasjen e dy personave”, thotë Regulski. “Nëse zbulohej në ditën e gjykimit, këto mëkate do të kishin çuar në dënimin e saj të përjetshëm. Por, në papirus, ajo shfaqet e guximshme dhe pret në peshoren e drejtësisë që zemra e saj të peshohet kundër Matit, perëndeshës së së vërtetës”.

Asnjë përmendje e vrasjes … pjesë e papirusit nga “Libri i të vdekurve” që shoqëroi mbretëreshën Nexhmet në jetën e përtejme (foto: Muzeu Britanik)

Përvjetori i deshifrimit, në mënyrë të pashmangshme ka çuar te kërkesat e reja për riatdhesimin e Gurit të Rozetës. “Bisedimet mund të fillojnë tani, në 200-vjetorin e deshifrimit, për ta kthyer atë dhe për të vazhduar udhëtimin e tij”, tha për “Sunday Times”, Joyce Tyldesley, profesoreshë e Egjiptologjisë në Universitetin e Mançesterit. Në Egjipt, Dr. Monica Hanna, egjiptologe që drejton një fushatë riatdhesimi, ka folur për “njerëzit që kërkojnë kthimin e kulturës së tyre”. Në përgjigje, Muzeu Britanik thekson se nuk ka pasur “asnjë kërkesë zyrtare nga qeveria egjiptiane për kthimin e gurit”, duke shtuar se 28 pllakat që mbajnë dekretin janë zbuluar në vend dhe 21 mbeten atje.

Për fund, marrim minibusin për në Gizë për të parë piramidat dhe Sfinksin, duke u pjekur nën diellin e mëngjesit. Regulski na çon tek ajo që fshihet midis putrave masive të luanit: “Stela e ëndrrave”, një pllakë përkujtimore që mban hieroglife. “Kemi kopjen e parë të bërë ndonjëherë të kësaj stele”, thotë ajo. “Është shumë e saktë. Stela tregon historinë e Tutmosit IV, i cili erdhi këtu si i ri për gjueti – kishte luanë dhe hiena ato ditë. Ra në gjumë dhe, në ëndërr, Sfinksi i tha: ‘Unë do të të bëj mbret të Egjiptit, nëse do të ma pastrosh rërën rreth e qark trupit”. Bëri siç kërkoi dhe u bë mbret, pastaj kjo histori u vendos midis putrave.

Dhe, atje qëndroi në rërën e shqetësuar për mijëra vjet, në pamje të qartë, por e heshtur, derisa kodi u thye dhe zëri i Sfinksit mund të dëgjohej përsëri për gjithë përjetësinë.

Ekspozita “Hieroglifet: Dekodimi i Egjiptit të Lashtë” do të qëndrojë hapur në Muzeun Britanik, në Londër, nga 13 tetori 2022 deri më 19 shkurt 2023. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version