Site icon Telegrafi

Thurja e elozheve

“Nuk na pëlqen të lëvdojmë dhe nuk lëvdojmë kurrë pa patur interes”.. ”I duruari, i lavdëruari!” (Aforizma)

Gandi thotë: “Lavdi pa sakrificë (s’)ka, shkencë pa humanizëm (s’)ka, politikë pa principe (s’)ka, pasuri pa punë (s’)vyen, dije pa karakter (s’)vyen, tregti pa moral (s’)vyen”.

A është koha të dhurim elozhe. As s’ka logjikë, as nuk është simbolikë, as s’ka kuptim, madje as nuk është modesti të lavdërohet njeriu i botës pa pasur fare merita. Po edhe sikur të kishte, s’ia vlen të vetëlavdërohet.

Na u ka rrit mendja si shumë e po vetëlavdrohemi pak si tepër. Kjo është një theqafje e pashmangshme. Pra, më shumë po thurim elozhe sesa po punojmë; ma shumë po krekosemi sesa që po vyejmë diçka. Po na flet puna a jemi për thurje të elozheve kur vendin tonë po e kaplon mynxyra e rëndë, edhe sociale, edhe ekonomike, edhe politike. E pamë më sipër çka thotë Gandi e te ne nuk këqyret asnjë kriter. Shiten në treg mend krenari e lavde me okë.

Sipas fjalëve të urta, në të shumtën e rasteve lavdet kthehen në sharje. Herë lëvdohemi e i thurim elozhe këngëtari-këngëtarit, politikani-politikanit, katundi-katundit, qyteti-qytetit, krahina-krahinës, e herë hahemi e shahemi gegë e toskë, Drenicë e Llap, Dukagjin e Myzeqe, sheherli e katundar… Lokalizëm e kontraste shumë të rrezikshme dhe të panevojshme edhe ne shekullin XXI.

Elozhet vend e pavend e për gjithçka po e dëmtojnë shumë etikën qytetarinë, kombin dhe vendin. Të mësojmë nga njerëzit e mëdhenj për atë se ata kurrë nuk janë lavdëruar. Skënderbeu, kur u kthye ne Atdhe para krutanëve tha në mes të tjerash: “Lirinë nuk u a solla unë, por e gjeta këtu në mesin tuaj”. Ajnshtajnin kur e kanë pyetur për dijen, thotë: “Në krahasim me atë që nuk dimë, dimë vetëm sa të zinjtë e thonjtit”.

Obama: ”Koha për fjalët e mëdha ka marrë fund. Është koha për veprime”. Andaj, me të vërtetë puna duhet të prijë dhe të jetë mbi të gjitha – edhe mbi lavdinë edhe mbi trimërinë.

Po, për çudi te ne thurim elozhe për njerëz që e zhvatin paranë publike, edhe pse ju shkruan mu në lule të ballit – abuzues. Thurim elozhe edhe për kriminel, edhe për njerëz që kanë probleme me ligjin; thuren elozhe edhe për ndonjë mediokër (gjysmagjel), për ndonjë snob, për ndonjë sadist, për ndonjë spiun, për ndonjë maskara a për ndonjë “bylykbash” të ditëve tona. A s’është turp! A ka vend për fjalë të mëdha, për elozhe, kur mbi Qiellin tonë ka blozë të dendur, kur mbi Tokën tonë me shpirt ende nuk e kemi të zgjidhur nyjën gordiane, kur ambientin tonë e ka kapluar një degradim i paparashikueshëm, kur mbi retë tona po valojnë demonë të shumtë dhe nëpër lumenjtë tanë uji po rrjedh i turbullt.

T’lutem, edhe nëse e do shumë Atdheun, edhe në qoftë se punon shumë për vendin tënd, edhe në nëse ke dhënë shumë për Vatan, mos u lavdëro sepse lavdi e elozhet u takojnë më së shumti heronjve të popullit. Kurora e lavdisë nuk i rri mirë në kokë panegjirikut, sepse apologjia e hapur është dëmtuesja më e madhe e kësaj kurore.

Lavdidashës të sosur “jeni mbuluar me lavde” por jo në “rrugën e lavdisë”!

Sa dëm, sa keq!

 

 

Exit mobile version