Site icon Telegrafi

Thumana disa ditë pas tërmetit

Kur kanë kaluar disa ditë nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili në Thumanë mori jetët e 24 personave dhe shkatërroi një numër të madh banesash, gjithçka duket se ka ndryshuar. Rrugët janë thuajse të boshatisura duke ja lënë vendin dhjetëra makinerive të rënda që largojnë pjesët e mbetura nga banesat e shembura.

Fusha e sportit në Thumanë, e cila në ditët e para të tërmetit ishte e tejmbushur me disa dhjetëra çadra, tashmë është boshatisur. Ymer Çanja, banor i Thumanës, thotë se banorët janë larguar drejt Shëngjinit.

“Po banori i vetëm jam unë këtu. S’ka banorë këtu. Ikën në Lezhë te hotelet të gjithë banorët. I kanë sistemu atje. Unë kam pasurinë, kam kopshtin dhe gjënë e gjallë këtu dhe nuk u largova. Jam vendali.”

Disa nga pallatet dhe banesat, që u shkatërruan gjatë tërmetit, tashmë janë shembur përfundimisht nga ekipet e specializuara për të mos rrezikuar jetë të tjera njerëzish, ndërsa një numër i madh mjetesh të rënda po punojnë për largimin e mbetjeve.

Në Thumanë vetëm dy prej pallateve 5 katëshe, të ndërtuara në fundin e periudhës së komunizmit u morën jetën 24 banorëve gjatë tërmetit të 26 nëntorit. Tashmë, në rrënojat e mbetura shikohen herë pas here familjarë që kërkojnë të gjejnë një dokument apo një kujtim nga familja pasi, siç thotë Arian Ndoka banor i njërit prej pallateve, nën rrënojat ka përfunduar gjithçka që kanë patur.

“Kam qenë në katin e pestë në momentin kur ka ra tërmeti dhe kam dalë me gjithë familje. Kam ardhë këtu me gjet ndonjë pasaportë, ndonjë dokument. Është shembë gjithçka, asht një tmerr i vërtetë, nuk e di çfarë mund të them. Këtu kanë vdekë 17 persona, asht krim. Unë nuk du asgjë, asgjë nuk më interëson, thjeshtë të marr ndonjë dokument, ndonjë kujtim të vjetër që kam pasë. Gjithë djersa jonë këtu asht. Djersa e 30-40 vjetëve, këtu e në Greqi.”

Në Thumanë janë të pakët banorët që vazhdojnë të qëndrojnë ende në çadra, ose në banesat e tyre, që i kanë shpëtuar shkatërrimit nga tërmeti. Ata presin një përgjigje përfundimtare nga ekipet e inspektimit se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre, do të shemben apo do të riparohen.

Exit mobile version