Ushtria izraelite tha të enjten se Mohammed Deif, kreu i krahut ushtarak të Hamasit, ishte vrarë në një sulm ajror izraelit më 13 korrik në kampin Al Mawasi.
Sulmi masiv i bombardimeve në atë kohë rrafshoi disa ndërtesa dhe vrau të paktën 90 njerëz, duke plagosur afro 300 të tjerë.
Hamasi në atë kohë mohoi se Deif ishte objektivi dhe tha se ishte një përpjekje për të “justifikuar masakrën e tmerrshme”.
“Tani mund të konfirmojmë: Mohammed Deif u eliminua”, shkroi ushtria izraelite në llogarinë e tyre zyrtare në rrjetet sociale në X, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, nuk u dhanë detaje të mëtejshme.
Izraeli thotë se Deif luajti një rol kyç në sulmet e udhëhequra nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor dhe është zotuar se do ta vrasë atë.
Më shumë se 38,000 palestinezë, shumica civilë, janë vrarë në më shumë se nëntë muaj luftë.
Por kush është ai?
Emri i vërtetë i Deif është Mohammed Diab Al Masri.
Deif është një ‘nom de guerre’ që do të thotë ‘mysafir’ në arabisht, në lidhje me zakonin e tij për të ndryshuar vazhdimisht vendndodhjen e tij për të shmangur vrasjen.
Ai lindi në një kamp refugjatësh në Khan Younis në vitin 1965 dhe u përfshi për herë të parë me Hamasin në Gaza në vitet 1980, kur ai drejtoi “bashkimin e islamistëve në Universitetin Islamik të Gazës”.
Ai ishte student i biologjisë dhe ishte afruar me Vëllazërinë Myslimane, me të cilën Hamasi ka lidhje të ngushta.
Deif u përfshi në operacionet ushtarake të Hamasit gjatë 20 viteve më pas.
Ai u arrestua nga Izraeli në vitin 1989 dhe kaloi rreth 16 muaj në paraburgim, tha një burim i Hamasit për Reuters.
Duke u ngritur në radhët e Hamasit, Deif zhvilloi rrjetin e tuneleve të grupit dhe ekspertizën e tij për prodhimin e bombave, përcjell Telegrafi.
Në vitin 2002, ai u emërua komandant i krahut ushtarak të Hamasit, Brigadave Ezzedine Al Qassam.
Paraardhësi i tij, Salah Shehade, u vra në një sulm izraelit.
Izraeli e sheh atë si prapa fushatës së bombave vetëvrasëse që synonin autobusët dhe vendet publike në Tel Aviv dhe Jerusalem gjatë Intifadës së Dytë midis 2000 dhe 2005, dhe e konsideron atë përgjegjës për vdekjen e shumë civilëve.
Janë të njohura vetëm tri fotografi të Deif: një e bërë në të 20-at, tjetra e tij e maskuar dhe një imazh i hijes së tij, i cili u përdor kur u transmetua kaseta audio.
Mbijetesa e tij gjatë drejtimit të krahut të armatosur të Hamasit ka krijuar një element mistik rreth tij.
Roli në sulmin e 7 tetorit
Izraeli akuzon Deifin si një nga organizatorët e sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor në Izraelin jugor.
Rreth 1,200 izraelitë u vranë në sulmet, të cilat nxitën luftën hakmarrëse të Izraelit kundër Gazës, në të cilën u vranë më shumë se 38,000 njerëz.
Si udhëheqës i krahut ushtarak të Hamasit, Deif shihet se ka organizuar sulmet së bashku me liderin më të lartë të Hamasit, Yahya Sinwar.
Një regjistrim i Deif u transmetua në kanalin televiziv të Hamasit në ditën e sulmit.
“Sot zemërimi i Al Aksa, zemërimi i popullit dhe kombit tonë po shpërthen. Muxhahedinët tanë (luftëtarët), sot është dita juaj për ta bërë këtë kriminel të kuptojë se koha e tij ka marrë fund”, kishte thënë Deif në regjistrim.
Në regjistrim, Deif e quajti sulmin “Përmbytja e Al Aksa”, duke e lidhur atë me bastisjet izraelite në xhaminë Al Aksa në Jerusalem.
Që nga 7 tetori, liderët e Izraelit janë zotuar vazhdimisht se do ta zhdukin Hamasin si organizatë.
Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant u ka thënë gazetarëve se drejtuesit e grupit “po jetojnë me kohë të kufizuar”.
Përpjekjet e mëparshme për vrasje
Izraeli ka tentuar të vrasë Deifin në të paktën shtatë raste.
Katër tentativa për vrasje gjatë viteve 2000 thuhet se lanë Deif të plagosur ndërkohë që disa raporte thonë se ai humbi një sy gjatë një goditjeje.
Disa anëtarë të familjes së tij janë vrarë në tentativat për atentat.
Gruaja e Deif, djali 7-muajsh dhe vajza 3-vjeçare u vranë nga një sulm ajror izraelit në vitin 2014.
“Mohamed Deif e meriton të vdesë ashtu si (Osama) bin Laden. Ai është një vrasës dhe për sa kohë që ne kemi një mundësi, ne do të përpiqemi ta vrasim atë”, tha ish-ministri i Brendshëm izraelit Gideon Saar për radion e ushtrisë në vitin 2014.
Në vitin 2021, Izraeli zhvilloi një konflikt 11-ditor me Hamasin në Gaza. Ushtria izraelite u përpoq të vriste Deif të paktën dy herë gjatë operacionit, por ai mbijetoi.
Menjëherë pas 7 tetorit, Hamasi tha se vëllai i Deif u vra në një sulm izraelit.
Abdul Fattah Deif, së bashku me djalin dhe mbesën e tij, u vranë pasi aeroplanët izraelitë goditën Khan Younis më 11 tetor. Nuk dihet nëse Deif ishte objektivi i synuar i atij sulmi. /Telegrafi/