Në një mbledhje fondesh në McLean, Virxhinia, të martën në mbrëmje, presidenti Joe Biden – për herë të parë – ia atribuoi performancën e tij të dobët debatit javën e kaluar numrit të udhëtimeve të huaja që bëri në qershor, sipas shënimeve nga një grup i vogël gazetarësh të lejuar në këtë ngjarje.
“Vendosa të udhëtoj nëpër botë disa herë”, tha Biden, duke iu referuar udhëtimeve të fundit jashtë vendit, duke përfshirë vizitën e tij në Francë për 80-vjetorin e D-Day.
“Unë nuk e dëgjova stafin tim”, vazhdoi ai, duke shtuar se “u kthye dhe gati sa nuk e zuri gjumi në skenë”.
Biden theksoi të martën se i vinte keq për performancën e tij në debat, por tha se fitorja e zgjedhjeve ishte “kritike”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ky nuk është një justifikim, por një shpjegim”, vazhdoi ai, duke shtuar se fushata e demokratëve dhe Biden kanë mbledhur miliona dollarë që nga nata e debatit.
Performanca e debatit të Biden të enjten e kaluar shkaktoi shqetësime të reja për moshën dhe mprehtësinë e tij, duke përfshirë disa demokratë që kanë filluar të diskutojnë rreth aftësisë së tij për të vazhduar si kandidati i partisë së tyre.
Ndryshe, presidenti fillimisht foli për performancën e tij të dobët të debatit në një tubim në Karolinën e Veriut një ditë pas debatit.
“… Unë nuk debatoj aq mirë sa dikur, por e di atë që di. Unë di të them të vërtetën”, tha ai përmes brohoritjeve të forta nga një turmë entuziaste e fushatës. /Telegrafi/