Mbrojtësi i krahut i Bayern Munichut, Raphael Guerreiro, u detyrua që të largohet herët nga loja sot (e shtunë) në duelin ndaj Stuttgartit, duke i dhënë një goditje të rëndë bavarezëve para gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve ndaj Real Madridit.
Reprezentusi portugez u zëvendësua në minutën e 17-të në atë që dukej si një zgjatje e muskulit në tentim për të pranuar topin.
Tuchel kishte bërë gjashtë ndryshime në formacionin startues në krahasim me ndeshjen ndaj Realit në Gjermani, me Guerreiron i cili ishte në mesin e atyre që e nisën nga minuta e parë.
Alphonso Davies, Aleksander Pavlovic, Serge Gnabry, Eric Maxim Choupo-Moting dhe Mathys Tel startuan në vend të Noussair Mazraoui, Konrad Laimer, Leon Goretzka, Thomas Muller dhe Leroy Sane, e po ashtu edhe Jamal Musiala i cili nuk ishte i ftuar për këtë takim.
Tekniku gjerman pas humbjes ndaj Stuttgartit (2-1) në konferencën për shtyp, konfirmoi se Guerreiro sipas gjitha gjasave do të jetë jashtë fushës për ndeshjen me madrilenët.
“Raphael Guerreiro me shumë gjasa është jashtë për ndeshjen me Real Madridin”, ka thënë shkurtimisht Tuchel.
Bayerni do ta vizitojë Madridin të mërkurën, dhe fituesi i këtij dueli do të luajë në finalen e madhe në Londër më 1 qershor me fituesin e takimit tjetër Dortmund ose Paris Saint-Germain./Telegrafi/