Telegrafi

Thomas Strakosha: U dashurova në futbollin duke shikuar babanë tim

E ardhmja e portës së Lazios është e gjitha për të që nga ajo mbrëmje e San Siros me debutimin e papritur – me këtë fjali e nis shkrimin rreth talentit Thomas Strakosha, faqja e specializuar, Lalaziosiamonoi që e konsideron të riun shqiptar si e ardhmja e portës bardhekaltër.

Djali i legjendës së kombëtares, Foto Strakosha, siç thekson edhe faqja e internetit, ka arritur të pasojë trashëgiminë e familjes. Në një intervistë për kanalin zyrtar të Lazios, Tomas Strakosha e pranon se ishte i ati ai që i injektoi dashurinë për këtë sport.

Lexo po ashtu Mediet italiane “zyrtarizojnë” rinovimin e Strakoshës me Lazion

“Jam dashuruar me këtë sport duke parë tim atë. Kam nisur të luaj që në moshën katërvjeçare dhe gjithmonë kam qëndruar në portë. Më pëlqejnë përgjegjësitë që të jep ky rol, sepse mund të ndikosh në fitoren apo humbjen e një ndeshjeje”, ka thënë ai, citon SuperSport.

“Kujtoj kur në vitin 1999 babai im luajti në Kupën e Kupave kundër Lazios kur ishte pjesë e Panionios. Më thotë përherë se të luaje kundër një skuadre të tillë ishte një emocion shumë i madh”.

“E kam nisur karrierën pikërisht te Panionios, por pjekurinë e arrita te Lazio. Bashkimi me skuadrën e parë që në moshën 17-vjeçare ishte një arritje e madhe”.

“Gjatë sezonit të parë me të rinjtë e Lazios fitova titullin, por nuk do të harroj asnjëherë edhe suksesin e 26 majit në finalen e Kupës së Italisë kundër Romës”, ka thënë më tej 21-vjeçari i Kombëtares Shqiptare.