Me qëllim të lehtësimit të procedurave të aplikimit për leje ndërtimi, sot është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit “One Stop Shop”.
Në një komunikatë për media të komunës së Prishtinës bëhet e ditur se marrëveshja është nënshkruar në mes të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komunës së Prishtinës, KEDS-it dhe KUR “Prishtina”.
Falë kësaj marrëveshje, të gjitha palët të cilat aplikojnë për leje ndërtimi, atë mund ta bëjnë në një zyre të vetme në Komunën e Prishtinës, e jo siç ka qenë deri më tani, që pëlqimin ta kërkojnë edhe në KEDS dhe në KUR Prishtina.
“Në emër të Komunës së Prishtinës marrëveshjen e nënshkroi Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, i cili u shpreh se kjo është edhe një lehtësim në të mirë të qytetarëve, të cilët tash e tutje do të kursejnë kohë dhe të gjitha shërbimet lidhur më këtë procedurë, do t’i kryejnë në Komunën e Prishtinës”, thuhet më tej në komunikatë. /Telegrafi/