Derisa ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë familjarë, ende bredhin rrugëve duke kërkuar drejtësi për më të dashurit e tyre.
E, sot përfaqësuese të shoqatës “Thirrjet e Nënave”, kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal kundër kriminelëve serbë.
Ato kërkojnë që ky kallëzim penal, të merret seriozisht. Sipas tyre, këta të fundit nuk kanë bërë mjaftueshëm për të pagjeturit.
Tash e 20 vjet, ajo lutet për fatin e djalit të saj të zhdukur. E, që nga ajo kohë, Nysrete Kumnova ka bërë thirrje të vazhdueshme, që një ditë të zbardhet fati i të birit të saj. Lutje të njëjtë, kanë bërë edhe shumë nëna, të cilat nuk dinë ende për fatin e më të dashurve të tyre.
Nysrete Kumnova e Luljeta Sharani, nga shoqata ”Thirrjet e Nënave”, kanë dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal kundër kriminelëve serbë.
Në këtë prokurori kanë dorëzuar edhe një kopje të librit “E vërteta për krimet serbe”, libër ky me dëshmi të mbledhura nga vet familjarët e të pagjeturve.
Pas dorëzimit të padisë, ajo ka shpresuar që këta kriminelë serbë, të marrin dënimin e merituar.
E për këto 20 vjet pritje, ajo tha se kanë pasur takime të bollshme me institucionet vendore, mirëpo sipas saj pak është bërë në këtë drejtim, duke bërë fajtor vet këta të fundit.
“Për t’u zbardhur fati i të pagjeturve lëvizjet janë të vogla, sepse ata mbahen peng padrejtësisht në Serbi apo në varreza ku janë, sepse presioni iu mungon i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare”, tha Kumnova.
Luljeta Sharani, nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, është lutur që ky kallëzim penal të merret seriozisht.
Sharani po ashtu ka kërkuar nga shteti serb dëmshpërblimin për të gjitha këto krime që kanë bërë në Kosovë, gjatë luftës së fundit.
Ajo tha se numri i personave të akuzuar për këto krime, është shumë i madh, për të cilët dëshmojnë edhe vet familjarët, për çka tha se komuna e Gjakovës ka akuza të bollshme ndaj agresorit serb.
Se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për fatin e të pagjeturve, e tha edhe Sharani.
“Nuk kanë bërë, vet fakti të bënë me kuptu qe 20 vjet jemi duke bredhur rrugëve, shihet rezultati se çfarë kanë bërë ata”, thotë Sharani.
Për këtë libër, Kumnova dhe Sharani kanë treguar se është punuar tri vjet që të mblidhen të gjitha dëshmitë, ku secili familjar ka rrëfyer për përjetimet e tyre.
Përfaqësueset e nënave nga Gjakova lusin institucionet e vendit që të bëjnë më shumë, në mënyrë që të zbardhet fati i familjarëve të tyre, e jo të mbetet enigmë.