Fyerjet ndaj shqiptarëve në ndeshjen Borci – Besa Famgas, të luajtur të dielën mbrëma në Banjallukë, nuk kanë kaluar pa u vërejtur nga Federata Evropiane e Hendbollit.
EHF-ja ka njoftuar të hënën se do të bëj hetime për ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane në hendboll.
Gjatë ndeshjes në Banjallukë, tifozët vendas kanë bërë fyerje të ndryshme dhe të vazhdueshme ndaj shqiptarëve. Ndër të tjera janë bërë thirrje për vrasjen e shqiptarëve. “Federata Evropiane e Hendbollit do të nis një hetim për ndeshjen e së dielës mes RK Borac dhe KH Besa Famgas, që i takoi Kupës Evropiane. Gjatë ndeshjes, e cila u luajt pa ndonjë interferim, janë bërë disa thirrje raciste, abuzive dhe nënçmuese.
Thirrjet janë bërë nga një grup i madh njerëzish që ishin të pranishëm në ndeshje”, shkruan në një komunikatë të EHF-së, të hënën.
Sipas EHF-së, një raport është plotësuar nga delegati i ndeshjes dhe video-material është vënë në dispozicion të EHF-së.
“EHF-ja inkurajon miqësinë dhe kuptimin e ndërsjellë mes anëtarëve të saj. Nuk diskriminon në baza politike, racore ose të religjionit dhe refuzon praktikat e paligjshme në sport. Ndeshjet e hendbollit nuk duhet të keqpërdoren si platformë për shfaqjen e deklaratave politike”, ka njoftuar EHF-ja.
Fyerjet anti-shqiptare nga ana e tifozëve serb të Borcit janë dënuar nga Federata e Hendbollit e Kosovës, përkatësisht drejtues të saj.