Më shumë se 800 personave u është bërë thirrje që të braktisin shtëpitë e tyre në Deepwater dhe Baffle Creek, Australi, për shkak të zjarrit të cilin zyrtarët e emërtuan “të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm”.
Mediat australiane lajmëruan se zjarrfikësit të dielën paralajmëruan banorët për shkak të kërcënimit nga zjarri. Së paku një shtëpi është djegur, ndërsa zyrtarët lokalë paralajmëruan se zjarri mund të zgjasë disa ditë.
Annastacia Palaszczuk, nga Drejtoria për Situata Emergjente në Queensland, tha se madhësia e zjarrit vështirëson punën në terren.
“Zjarri ka përfshirë rreth 9.000 hektarë, ndërsa flaka është e lartë deri në dhjetë metra, gjegjësisht 12 metra”, sqaroi Palaszczuk.
Andrew Sturgeous, nga Departamenti për zjarre dhe situata të jashtëzakonshme në Queensland, tha se ky zjarr nuk është diçka që shihet shpesh.
Më shumë se 40 ekipe zjarrfikëse, 100 zjarrfikës dhe gjashtë kanadere po marrin pjesë në fushatën kundër zjarrit. /Telegrafi/