Byroja e Kuvendit ka përjashtuar nga seancat parlamentare deputetin Sali Berisha për 10 ditë. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Byrosë mesditën e sotme. Një vendim i tillë vjen një ditë pasi ish-kryeministri, gjatë një fjalimi në seancën parlamentare, ftoi qytetarët të armatosen “për t’u mbrojtur nga bandat qeveritare”.
“Unë kam një kërkesë për shqiptarët sot. Iu bëj thirrje qytetarëve shqiptarë për sigurinë e tyre, të armatosen. Të sigurojnë armë për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre sepse nuk kanë asnjë siguri. Ju bëj thirrje të gjithëve”, deklaroi dje Berisha.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha se kjo deklaratë përbën vepër penale dhe i kërkoi Prokurorisë që ta thërrasë Berishën si të pandehur.
Ndërsa pas përfundimit të seancës, deputetët e PS-së iu drejtuan Byrosë së Kuvendit për të kërkuar pezullimin e Berishës. “Një grup prej më shumë se 7 deputetësh të PS-së, që gjendeshin në sallë gjatë fjalës së deputetit Sali Berisha, kanë depozituar tashmë një kërkesë drejtuar Byrosë së Kuvendit për mbledhjen e saj brenda 48 orëve, që të ndalet Kuvendi”, deklaroi Taulant Balla.
Kërkesa është firmosur nga 12 deputetë të Partisë Socialiste: Taulant Balla, Arta Dade, Pjerin Ndreu, Rakip Suli, Musa Ulqini, Luljeta Arapi, Erjeta Hysa, Ulsi Manja, Vasilika Hysi, Pirro Lutaj, Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi. /Telegrafi/