Parlamenti Evropian sërish do t’u bëjë thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë sa më shpejt. Por, për njohësit çështjeve politike këto thirrje nuk janë të mjaftueshme qe shtetet mos njohëse ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.
Parlamenti Evropian vazhdon të jetë i vetmi institucion i BE-së, qe i referohet Kosovës si shtet dhe madje kërkon nga shtetet anëtare që ta njohin shtetësinë e Kosovës.
Profesori nga Westminster University, Aidan Hehir për televizionin Dukagjini thotë se pavarësisht këtij qëndrimi të Parlamentit, nuk pret ndryshime të pozicioneve të shteteve të BE-së qe nuk e njohin Kosovën.
“Tash e 10 vjet qëndrimi i Parlamentit Evropian është i njohur, ata i drejtohen Kosovës si shtet, por kjo nuk i ka shtyrë pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet që nuk e njohin Kosovën, siç është rasti i Spanjës, kur ato shohin qe mund te shkaktojë probleme potenciale të brendshme, ato hezitojnë ta njohin Kosovën. Që kur Kosova e shpalli pavarësinë më 2008 me mbështetjen e fuqive perëndimore, u krijua ideja që shtetet e Bashkimit Evropian do ta njihnin pavarësinë, por kjo nuk ndodhi. Arsyeja tjetër është se nuk përbën ndonjë interes të madh për shtetet mos njohëse situata e Kosovës. Në sytë e perëndimit Serbia duket më atraktive sesa Kosova për shkak te interesit që shtetin Serb ta largojnë nga influenca e Rusisë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Aidan Hehir.
Për njohësin e çështjeve politike, Visar Xhambazi, njëra prej arsyeve kryesore qe pesë shtetet Bashkimit Evropian nuk e njohin Kosovën është se ato kanë problem me minoritetet e tyre etnike, por edhe për shkak të mos angazhimit të mjaftueshëm nga vet shteti i Kosovës, përcjell Telegrafi.
“Duhet ta kemi parasysh se shtetet mos njohëse nuk e kanë prioritet Kosovën…Arsyeja pse nuk e njohin Kosovën është se kanë probleme me minoritetet e tyre etnike. Mirëpo edhe Kosova duhet të tregojë qasje më proaktive. Nga ana tjetër thirrjet e Parlamentit Evropian për njohje të Kosovës janë thirrje retorike pasi Bashkimi Evropian përbëhet nga shtete nacionale”, deklaroi Visar Xhambazi.
Përmes këtij raporti, Parlamenti Evropian, ka kërkesa edhe për Kosovën, përkatësisht që t’i shtojë përpjekjet në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./RTV Dukagjini/Telegrafi/