Ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut, Christian Thimonier në intervistë për ‘Radio Evropa e Lirë’ tha se Franca ende nuk ka qëndrim për dhënien e datës për nisje të bisedimeve për vendin.
Ai tha se për këtë temë do të merret parasysh bilanci i agjendës reformuese 3-6-9 dhe 18. Thimonier thotë se vendi i tij është i gatshëm që të ndihmojë, duke cekur se rruga në fund nuk është e thjeshtë dhe se nuk dihet se sa do të zgjasë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Kishte një pengesë, ishte vetoja greke që nuk lejonte hapjen e bisedimeve, por edhe vetoja për hyrje në NATO. Tani kjo është kapërcyer sepse të gjitha kushtet janë plotësuar, dhe kjo është rezultat i Marrëveshjes së Prespës. Çështja e dytë që i ngrit në qershor të vitit të kaluar ishte agjenda që duhej zbatuar 3-6-9 dhe agjenda 18. Tani presim bilancin e kësaj agjende”, shtoi Thimonier.
Ndryshe, pushteti shprehet optimist se gjatë këtij viti Maqedonia e Veriut do të nisë bisedimet me Bashkimin Evropian ndërsa nga opozita akuzojnë se datë nuk kemi marrë edhe pse Maqedonia ka ndërruar emër./Telegrafi/