Site icon Telegrafi

Thesari i pazbuluar i Evropës, fushata e promovimit të Shqipërisë kushtoi gati 2 milionë euro

Bukuritë natyrore dhe kosto e ulët nuk mjaftojnë. Që nami i mirë të dalë e kurioziteti të vazhdojë ka nevojë për promovim.

Shumë gjëra të vogla janë bërë të mëdha nga mënyra e duhur e të reklamuarit. E njëjta ndodhi edhe me Shqipërinë, që vitin e shkuar mirëpriti mbi 10 milionë të huaj.

Por si çdo gjë, edhe kjo arritje e pati një çmim. Gati 190 milionë lekë apo rreth 1.8 milionë euro u shpenzuan vjet në 50 panaire, reportazhe apo artikuj ku u promovuan bukuritë natyrore të vendit, raproton A2 CNN.

“Marketingu është një nga degët që nuk duhet të zhduket asnjëherë, veçanërisht në turizëm dhe përgjithësisht në ekonomi. Nëse do që të jesh i dukshëm dhe prezent duhet të marketosh. Në shpenzosh 2 milionë euro për marketing dhe të gjenerosh 4.8 miliardë euro të ardhura, kjo është fantastike. Çdo biznes do e dëshironte”, tha Ferjolt Ozuni, pedagog, ekspert i turizmit.

Dikur vendi më i izoluar i Evropës, vitin e shkuar veçanërisht, vendi u kthye në një destinacion popullor turistik të preferuar për shumëkënd, ndërsa dhjetëra artikuj për “perlën e panjohur të Mesdheut” qarkulluan në mediat ndërkombëtare. Por këtu ekspertë të fushës kanë disa këshilla.

“Audienca duhet të jetë e targetuar. Të bësh marketing në media shumë ekskluzive si “The Economist” apo BBC shpesh nuk kapin të gjitha target grupet e turistëve që ne na interesojnë. Po këto do të jenë, kur siç qeveria thotë, ne të kemi turizëm elitar. Sot duhet të përqendrohemi te kanalet që ndiqen nga shtresat e mesme të popullsive”, deklaroi Ozuni.

Promovimi përmes emisioneve televizive, platformave sociale apo fushatave të marketingut janë një praktikë e zakonshme e promovimit turistik të një vendi dhe sipas ekspertëve të turizmit, edhe një nga faktorët e suksesit turistik të Shqipërisë. Sipas tyre, ka rëndësi që këto përpjekje të vijojnë që “të mbajmë namin e mirë dhe që kurioziteti të vazhdojë.” /Telegrafi/

Exit mobile version