Site icon Telegrafi

“Thesari” arkeologjik në Durrës, zbulohen banesa dhe mure të shekullit I p.e.s

Nëntoka e Durrësit vijon të “dhurojë” zbulime të reja dhe të rëndësishme arkeologjike, të ruajtura me kujdes midis shtresës së dherave.

Rinisja e gërmimeve në kantierin e ndërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, aty ku muaj më parë u zbulua një mozaik floreal i shekullit I të erës sonë, ka nxjerrë në dritë të tjera gjetje të rëndësishme.

“Flitet për zbulimin e një muri i cili mbyll të gjithë territorin e Vilës. Po ashtu kemi dhe një banesë, e cila është shkatërruar gjatë tërmetit të shek., të katërt dhe kemi gjetur çatinë e rënë mbi dysheme. Ka shumë elementë zbukurimorë, që lidhen me zbukurimin e mureve dhe tavanit”, thotë Luan Përzhita, arkelog.

Këto rifinitura të veshjeve të brendshme të vilës, pllaka me dekoracione të Mesdheut, veçanërisht në Pompei, datojnë para dhe pas lindjes së Krishtit.

“Këto i përkasin kryesisht shek. I para erës sonë dhe shek. I pas erës sonë, që lidhet pak a shumë edhe me datimin e mozaikut floreal të zbuluar më parë”, shprehet arkeologu.

Mozaiku floreal, datuar nga fundi i shekullit të parë dhe fillimi i shekullit të dytë, i gjetur në një vilë luksoze pranë amfiteatrit të Durrësit, është vlerësuar si një nga zbulimet më interesante të nëntokës së qytetit.

Gërmimet arkeologjike po zhvillohen në zonën ku pritet të ndërtohet shkolla “Gjergj Kastrioti”, me thellësi prej 6.75 metra dhe sipërfaqe paraprakisht të përbashkët prej 560 m². Për këto gërmime, Bashkia e Durrësit ka akorduar një fond prej rreth 13 milionë lekësh të reja./Euronews Albania

Exit mobile version