Site icon Telegrafi

Thesaret që u gjetën në plehra

Disa njerëz janë bërë me para për shkak të gjërave që kanë gjetur në plehra. Më poshtë janë disa nga rastet e tilla.

Qilim antik i Turkmenistanit: Në qershor 2010, një grua nga San Diego shkoi te specialisti i tekstileve antike. Disa vjet më parë, një fqinj kishte hedhur një divan në rrugë. Vajza e zonjës sapo ishte zhvendosur në një vend të ri dhe kishte nevojë për një shtrat. Zonja kërkoi leje për të marrë divanin dhe ajo i tha se do të hidhte në plehra edhe disa qilima. Nëse i pëlqenin, mund t’i merrte. Qilimi që mori nga mbeturinat ishte thurur rreth vitit 1800 në Turkmenistan dhe është shumë i kërkuar midis koleksionistëve. U vlerësua me 150 mijë dollarë.

Kartelat milionëshe të bejsbollit: Në vitin 2016, një familje nga ShBA-ja e jugut, të cilët kanë zgjedhur të mbeten anonimë, po shoshitnin nëpër sendet e gjyshërve kur hasën në një qese letre të vjetër për të cilën supozuan se ishte e mbushur me plehra. Qesja ishte gati për t’u hedhur, kur njëri prej anëtarëve të familjes kontrolloi përmbajtjen. Nxori shtatë karta bejsbolli, së bashku me disa kartolina dhe letra të vjetra. Të quajtura “The Lucky Seven Find”, kartat e rralla datojnë nga fillimi i viteve 1900 dhe kanë vlerë më shumë se një milion dollarë.

Piktura e famshme: Elizabeth Gibson ishte duke bërë një shëtitje një mëngjes të vitit në 2003, kur vuri re një kanavacë me ngjyrim të gjallë, të shtrirë në një grumbull plehrash. Gibson merr pikturën me vete. Më pas, në një faqe interneti kupton se vepra ishte pikturë e vitit 1970 e quajtur “Tres Personajes” (Tre persona) nga artisti i mirënjohur abstrakt meksikan, Rufino Tamayo. Piktura ishte vjedhur më 1987 nga një depo. Ajo iu rikthye pronarit të ligjshëm nga i cili u shit për më shumë se një milion dollarë. Gibson mori një shpërblim prej 15 mijë dollarëve.

Shufra floriri: Në maj të këtij viti, një pastrues në Aeroportin Ndërkombëtar Incheon të Koresë së Jugut, gjeti në një kosh shtatë shufra ari me vlerë prej 330 mijë dollarëve të cilat i dorëzoi në Polici. Pronari është identifikuar, por refuzon të pretendojë arin duke nënkuptuar se shufrat mund të jenë marrë në mënyrë të paligjshme dhe se i hodhi për të shmangur policët ose doganat. Sipas ligjit “Mbajtësit e Gjetjeve” të Koresë së Jugut, pastruesit i jepet pronësia e shufrave të arit nëse pronari nuk i pretendon ato brenda gjashtë muajve.

Armët amerikane: Kjo armë u përdor nga amerikanët vendas për gjueti dhe për beteja me fiset e tjera vendase të Amerikës. Një amerikan e nxori këtë lloj arme në shitje për 102 mijë dollarë. Ajo u gjet nga gjyshi i tij në një banjo, dekada më parë. Burri besonte se kjo armë kishte vlerë, por jo kaq të madhe. Arma ishte shembull mahnitës i zejtarisë Otoe, e gdhendur nga një copë arre që përmban 178 copëza bronzi.

Gravura e rrallë: Cheryl Conroy Warren, ish-pronar i dyqaneve antike nga Milfordi, kohët e fundit gjeti një gravurë që më përpara i përkiste babait të saj. Fillimisht besoi se gravura nuk kishte asnjë vlerë, por më pas zbuloi se ishte punë e vitit 1951 nga artisti legjendar kinez-francez Zao Wou-Ki. Gravura u shit për 15 mijë dollarë.

Kukull e shekullit XIX: Një entuziaste lodrash nga Rhode Island e gjeti këtë kukull të shekullit XIX në një grumbull mbeturinash lokale, diku gjatë mesit të viteve 1990. Në vitin 2014, burri i zonjës, i cili ishte i ve kohët e fundit, vendosi të shihte nëse kukulla vlente ndonjë gjë. E çoi atë për vlerësim. Për habinë e tij, vlerësuesi e informoi se objekti ishte në të vërtetë një kukull lecke e pikturuar me dorë, e punuar rreth vitit 1860. Kukulla në ankand u shit për 14.2 mijë dollarë. /TCh/

 

Exit mobile version