Telegrafi

“Therrtorja…” mirëpritet në Londër

Shfaqja, në të cilën njërin ndër rolet kryesore e luan aktori kosovar Imer Mushkolaj, është dhënë në Londër në bashkëpunim me Institute for Converging Arts & Sciences të Universitetit të Greenwichit.
“Shfaqje vërtet e mirë. Një teatër i tillë është shumë vështirë të realizohet. Kjo që pamë sonte ishte një punë e bërë me shumë përkushtim”, tha pas shfaqjes regjisori i njohur britanik, David Gothard.

Përveç nga regjisorë e aktorë londinezë, shfaqja është përcjellë edhe nga njerëz të rëndësishëm të skenës teatrore dhe filmike britanike.

“Ishte privilegj të luaje para një publiku të zgjedhur. Shfaqja u prit shumë mirë dhe pas saj pati interesim që të jepet edhe në vende të tjera”, tha aktori Mushkolaj, i cili në shfaqjen e realizuar sipas motiveve të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur amerikan Kurt Vonnegut, përfaqëson qendrën “Multimedia” nga Prishtina.

Me dramatizim të Tatjana Ljujicit dhe regji të Fahrudin Nuno Salihbegovicit, shfaqja është prodhim i platformës artistike ndërkombëtare SET (Beograd ‐ Londër ‐ Amsterdam). Shfaqja i takon zhanrit të ashtuquajtur “teatër digjital”, sepse përveç teatrit klasik verbal në të përfshihen edhe elemente vallëzimi, dokumentari dhe video teatri. Ndërkaq, e veçantë është përdorimi i softuerit interaktiv dhe teknologjisë digjitale, gjë që bën të mundur që elemente të shfaqjes të jenë nën kontrollin e aktorëve gjatë gjithë kohës. Përveç Mushkolajt, në shfaqje luajnë edhe Janosh Bush, Vahidin Prelic, Andrijana Lubina dhe Jovana Rakic. /Telegrafi/