Vdekja 14-vjeçarit në Tiranë, pas një sulmi me thikë nga bashkëmoshatari i tij, ka ngjallur reagime të shumta.
Ndërsa një dëshmitare e rëndësishme, farmacistja Kristina, ndau rrëfimin e saj për Euronews Albania, duke përshkruar momentet dramatike pas incidentit.
Kristina, e cila ndodhej pranë vendngjarjes, rrëfeu emocionet dhe përvojën tronditëse që përjetoi.
“Nuk më ka ndodhur kurrë të shoh një ngjarje të tillë kaq tragjike. Jam nënë vetë e një fëmije 7-vjeçar dhe është shumë tronditëse që një fëmijë del nga shkolla në mëngjes dhe nuk kthehet më,” tha ajo, ndërsa kujtoi Martinin e vogël si një djalosh në lule të fëmijërisë.
Kristina tregoi se si u përfshi në ndihmën ndaj viktimës.
“Unë dola nga poliklinika dhe pashë disa çuna që kalonin me agresivitet. Pastaj dëgjova britmat për ambulancë. Pashë një djalë që po përpiqej t’i ndalonte gjakderdhjen Martinit duke përdorur një bluzë.”
Në atë moment, ajo thirri ambulancën dhe policinë, ndërkohë që ndihmoi me aq sa mundi.
Sipas Kristinas, ndihma e institucioneve erdhi me vonesë.
“Ambulanca tha se po vinte, por ishte në trafik. Një grua aty pranë sugjeroi ta dërgonim me makinë. Djalin e futëm në makinë dhe njoftova QSUT-në që të përgatiteshin për urgjencën,”tha ajo, duke përshkruar situatën kritike.
Gjatë transportit, gjendja e 14-vjeçarit u përkeqësua.
“Ishte i ngrohtë, por nuk fliste, nuk reagonte. Në një moment filloi të thërriste ‘nënë, nënë,’”kujton ajo, një detaj që shtoi një notë tronditëse mbi dramën që ndodhi
“Si nënë dhe qytetare, kjo ngjarje më ka lënë pa fjalë. Duhet të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur fëmijët tanë.”
Humbja e një jete kaq të re ka tronditur jo vetëm familjen e të ndjerit, por të gjithë komunitetin, duke sjellë në fokus nevojën për masa më të forta për sigurinë e të rinjve dhe reagimin e institucioneve në kohë emergjence.