Site icon Telegrafi

Thernin shpendë në kushte të papërshtatshme, inspekcioni i gjobit tregtarët te Tregu i Automjeteve në Prishtinë

Vazhdon të theren dhe tregtohen shpendë në kushte jo të përshtatshme sa herë që ka festa në Kosovë.

Edhe sot në prag të festës së Bajramit, në tregun e Veturave në Prishtinë, tregtarë të ndryshëm kanë bërë therjen dhe tregtimin e shpendëve.

Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Inspekcionit me këtë rast ka dalë në terren duke vepruar ndaj tregtarëve që bënin therjen e shpendëve në mënyrë ilegale.

“Me këtë rast janë larguar shitësit dhe ata që po thernin ilegalisht dhe në kushte absolutisht të papërshtatshme shpendë të ndryshme. Të njëjtit përveç që janë gjobitur, janë detyruar që edhe të pastrojnë hapësirat e tregut të cilat po shfrytëzoheshin për therje si dhe për hedhjen e mbetjeve të shpendëve të therrura”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.

Drejtoria e Inspekcionit, ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim, në bashkëpunim edhe me organet tjera kompetente, do të organizojë aksione akoma më të mëdha si dhe do të ndërmarrë veprime edhe më të ashpra të parapara me ligj për të ndaluar veprime të tilla të papërgjegjshme të atyre që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve./Telegrafi/

Exit mobile version