Site icon Telegrafi

Therje me thikë në shkollën “Pavarësia”

Një nxënës i klasës së tetë të shkollës fillore “Pavarësia” në kryeqytet ka ther me thikë një 22 vjeçar sot rreth orës 11:00.

Policia konfirmon se ngjarja ka ndodhur brenda shkollës, por këtë e mohon drejtori i kësaj shkolle, Sylejman Buqaj.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për KosovaPress se personi i therur është i vitit 1995, ndërsa nxënësi i shkollës “Pavarësia” është arrestuar nga policia.

“Me këtë rast është konfiskuar edhe thika me të cilën është kryer vepra penale”, tha Ahmeti për KosovaPress.

Drejtori i shkollës “Pavarësia”, Sylejman Buqaj nuk ka dashur të japë deklaratë për media duke thënë se rasti ka ndodhur jashtë shkollës.

Therjet me thika nëpër shkollat e Kosovës janë bërë dukuri e shpeshtë. Ky fakt po i shqetëson prindërit të cilët shprehin frikën për sigurinë e fëmijëve.

Valbona Berisha, e cila e ka fëmijën në klasë të parë në këtë shkollë thotë se ky rast i ka shqetësuar dhe se ajo, por edhe prindërit tjerë çdo ditë i përcjellin fëmijët e tyre për në shkollë.

“Ne si prind jemi ndjerë shumë të shqetësuar, ne fëmijët e vegjël i dërgojmë në shkollë çdo ditë i marrim dhe i dërgojmë nuk i lejojnë mësueset me dal prej shkollë para se të vijë prindërit. Ne nuk kemi pas asnjëherë problem” , tha Berisha.

Edhe Valbona Ajeti, që ka fëmijën në këtë shkollë shpreh shqetësim në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur në shkollën “Pavarësia”.

“Edhe pse fëmija im është në klasën e dytë, ai zakonisht vjen vet në shkollë sot ka qenë i shqetësuar dhe unë e solla vet sepse jemi afër këtu, kështu që në shkollën tonë zakonisht nuk ka ndodhur…”, tha Ajeti. /KP/

Exit mobile version