Site icon Telegrafi

Therja për vdekje e vëllait nga vëllai, Prokuroria: Motivet nuk dihen – do të kërkohet caktimi i masës së sigurisë ndaj të dyshuarit

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dalë me detaje rreth rastit tragjik që ndodhi mbrëmë në kryeqytet, ku një person u ther për vdekje nga vëllai i tij.

Prokuroria bënë të ditur se viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

“Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia”, thuhet në njoftim.

Prokuroria shton se rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një person.

“Motivet dhe rrethanat tjera për momentin janë të panjohura por të njëjtat do të kuptohen gjatë hetimeve të cilat do të zhvillohen nga kjo Prokurori. Brenda afatit ligjor Prokurori i shtetit do të paraqes pranë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin për këtë rast”, thuhet në njoftim.

Ndryshe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes, njësia e Urgjencës ka bërë konstatimin e vdekjes së viktimës si dhe të dyshuarit i është dhënë tretman mjekësor pasi kishte lëndime trupore.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që me mjet të mprehtë-thikë kishte goditur disa herë viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes, njësia e Urgjencës ka bërë konstatimin e vdekjes së viktimës si dhe të dyshuarit i është dhënë tretman mjekësor pasi kishte lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes kanë dal edhe prokurori kujdestar dhe njësia e IML-së”, thuhej në raport.

Ndërkaq, lidhur me këtë rast, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se i dyshuari është me të meta psikike.

“Vëllai e ka therë me thikë vëllain. I dyshuari është me të meta psikike”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/

Exit mobile version