Telegrafi

Incidenti në veri të Mitrovicës, Sveçla: Dy qytetarë serbë u therën me thikë nga pjesëtari i strukturave kriminale të Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se një pjesëtar i strukturave paralele të Serbisë në veri të Mitrovicës ka therur me thikë dy qytetarë të nacionalitetit serb.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nga Policia e Kosovës është njoftuar se në Mitrovicën e Veriut ka ndodhur një incident me ç’rast dy qytetarë të nacionalitetit serb kanë mbetur të plagosur dhe njëri nga ta ndodhet nën tretman mjekësor.

“Njësitet relevante policore tashmë kanë dyshime të bazuara mbi dorasin e këtij akti i cili është po ashtu i nacionalitetit serb, pjesëtar i strukturave paralele kriminale të Serbisë”, ka shkruar Sveçla, transmeton Telegrafi.

Sveçla ka thënë se njësitet policore do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në bazë të kompetencave që kanë në mënyrë që dorasi apo dorasit e këtij sulmi të sillen sa më parë para drejtësisë.

Lexo po ashtu Theren me thikë dy persona në veri të Kosovës

Ngjarjen e ka konfirmuar zëvendësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Besim Hoti thotë se rasti ka ndodhur sot rreth orës 18:40 në oborrin e konviktit të studentëve në veri të Mitrovicës.

“Së paku dy persona janë ther me thikë. Jemi duke punuar për të zbardhur rrethanat e ngjarjes”, ka deklaruar shkurt Hoti pa dhënë detaje të tjera. /Telegrafi/