Një person ka goditur me mjet prerës, në pjesë të ndryshme të trupit, një shtetas (25 vjeçar) dhe u largua nga vendi i ngjarjes, por Policia e Shtetit ka arritur ta arrestojë të dyshuarin (23 vjeçarin).
Sipas një njoftimi nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se është sekuestruar automjeti i përdorur nga i dyshuari.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se te Fresku, shtetasi G. C., 23 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasin A. H., 25 vjeç, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit të dyshuar. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, brenda një kohe rekord, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, kapën dhe arrestuan, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin G. C”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se shtetasi A. H., aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Audi”, i autorit të dyshuar. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/