Kryeministrja britanike, Theresa May akuzoi politikanët europianë se po bëjnë kërcënime ndaj Britanisë në përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Kryeministrja sulmoi ashpër burokratët e Brukselit, siç i quajti ajo, në një fjalim jashtë zyrës së saj pasi u takua me mbretëreshën për të shënuar formalisht shpërbërjen e parlamentit para zgjedhjeve të 8 qershorit.
“Pozicioni negociues i Britanisë në Europë është keqinterpretuar në shtypin e kontinentit. Qëndrimi negociues i Komisionit Europian është ashpërsuar. Politikanë dhe zyrtarë europianë kanë bërë kërcënime ndaj Britanisë. Të gjitha këto akte janë bërë qëllimisht tani që të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme”, tha Theresa May.
Kreu i qeverisë britanike tha se disa njerëz në Bruksel duan që bisedimet për Brexit të dështojnë, ndërsa shtoi se ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë mjaft qartë se sa të vështira do të jenë bisedimet.
Komentet e saj vijnë pak orë pasi kryenegociatori evropian për Brexit, Michel Barnier dhe ministri britanik për Brexit, David Davis debatuan në distancë për faturën e largimit nga unioni, me ministrin britanik që tha se Britania nuk do të paguajë asnjë cent më shumë se detyrimet e saj.