Themeluesi dhe ish-CEO i Binance, Changpeng Zhao (CZ) është ndaluar përjetësisht nga administrimi i shkëmbimit të kriptomonedhave.
Fillimisht, raportet sugjeruan se Zhao nuk do të ishte në gjendje të kthehej në Binance për një periudhë prej tre vjetësh.
Megjithatë, Axios më vonë zbuloi se ndalimi është i përhershëm, duke e penguar Zhaon të rifillojë ndonjëherë një rol udhëheqës në platformë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Problemet ligjore të Zhaos filluan kur autoritetet amerikane e akuzuan atë për shkelje të shumta të lidhura me operacionet e Binance.
Akuzat përfshinin ofrimin e letrave me vlerë të paregjistruara, manipulimin e tregut dhe mangësitë në protokollet e platformës kundër pastrimit të parave (AML).
Pavarësisht pozicionit të Binance si një nga shkëmbimet më të mëdha të kriptomonedhave në botë, kompania është përballur me një kontroll “të pamëshirshëm” rregullator, duke çuar në sfida serioze ligjore për themeluesin e saj.
Në nëntor, Zhao dha dorëheqjen si CEO i Binance si pjesë e një marrëveshjeje me Departamentin e Drejtësisë të SHBA.
Marrëveshja kërkonte largimin e tij të përhershëm nga “menaxhimi ose operacionet” e kompanisë. /Telegrafi/