Telegrafi

Themeluesi i WhatsApp mbërrin në bregdetin e Kroacisë me jahtin e tij milionësh

Jan Koum, miliarderi dhe themeluesi i WhatsApp-it, ka mbërritur në Kroaci. Superjahti i tij 100 metra i gjatë është fotografuar midis ishujve Lopud dhe Šipan, raporton Dubrovnik Times.

Koum, pasuria e të cilit vlerësohet në 13 miliardë dollarë, po shijon pushimet në jahtin luksoz që ka një vlerë prej 200 milionë dollarësh, ose rreth 182 milionë euro.

Jahti luksoz është i pajisur me jacuzzi dhe helikopter, dhe mund të strehojë 15 mysafirë në tetë kabina. Përveç jahtit, miliarderi zotëron edhe një aeroplan privat dhe prona të tjera luksoze.

Foto: Index

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Koum po shijon pushimet në Kroaci. Tri vite më parë, ai vizitoi ishullin Vir me tri mega-jahte luksoze, ndërsa më e shtrenjta, “Moonrise”, kishte një vlerë prej 220 milionë dollarësh (200 milionë euro).

Miliarderi 48-vjeçar me origjinë ukrainase e fitoi pasurinë e tij duke shitur WhatsApp-in te Facebook në vitin 2014 për 19.3 miliardë dollarë (11.1 miliardë euro). Koum është gjithashtu i njohur si një adhurues i madh i makinave luksoze dhe ka një nga koleksionet më të mëdha të Porsche-ve në botë, me rreth njëqind makina.

Koum nuk e pëlqen kur e quajnë sipërmarrës dhe në një rast shkroi në Twitter: “Personi i radhës që më quan sipërmarrës do të marrë një goditje në fytyrë nga truproja im”. Koum beson se sipërmarrësit drejtohen nga dëshira për fitim dhe ka deklaruar se ai thjesht dëshiron të krijojë produkte të dobishme. /Telegrafi/