Telegrafi

Themeluesi i Telegramit foli për herë të parë rreth arrestimit të tij

Themeluesi i Telegram, Pavel Durov falënderoi të gjithë për mbështetjen e tyre dhe tha se ishte i befasuar që ai, si CEO i platformës, u akuzua për krime të palëve të treta.

Durov beson se në një rast të tillë do të ishte e drejtë të ngrihej akuza kundër Telegramit dhe jo atij personalisht.

“Autoritetet franceze kishin shumë mënyra për të kontaktuar me mua dhe për të kërkuar ndihmë. Unë isha një vizitor i shpeshtë në konsullatën franceze në Dubai si qytetar francez”, shkroi ai.

Ruso-francezi gjithashtu pranoi se rritja e përdoruesve në 950 milionë kishte ndikuar në cilësinë e moderimit.

“Unë i kam vënë vetes qëllim që të përmirësoj ndjeshëm situatën në këtë drejtim. Tashmë e kemi filluar këtë proces brenda vendit dhe do të ndaj shumë shpejt detajet e progresit tonë”, deklaroi 39-vjeçari.

Ndryshe, Durov ishte arrestuar javë më në aeroportin e Parisit. Drejtësia franceze e akuzon atë se nuk ka vepruar kundër përhapjes së përmbajtjeve kriminale në Telegram, rrjet social i cili ka më shumë se 900 milionë përdorues.

Durov u arrestua si pjesë e një hetimi kundër një personi të paidentifikuar të nisur më 8 korrik nga Njësia e Krimeve Kibernetike, tha më herët në një deklaratë prokurorja Laura Bekua.

Hetimi ka të bëjë me përfshirjen e dyshuar në vepra të ndryshme penale, duke përfshirë drejtimin e një platforme online që mundëson transaksione të paligjshme, pornografi me fëmijë, trafik droge dhe mashtrim, si dhe refuzimin për të dhënë informacion autoriteteve, pastrim parash dhe ofrimin e shërbimeve kriptografike për kriminelët, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/