Themeluesi i Spotify, miliarderi suedez Daniel Ek ka shprehur interesin e tij për të blerë klubin e madh anglez, Arsenalin.
Pronarët aktualë Kroenke Sports & Entertainment janë vënë nën kritika për projektin e dështuar të Superligës Evropiane, me tifozët e Topçinjve që kanë protestuar kundër tyre të premten.
Josh Kroenke ka thënë se familja e tij nuk ka ndërmend të shesë klubin anglez, por një blerës i mundshëm është lajmëruar tashmë.
Bëhet fjalë për miliarderin suedez, themeluesin e Spotify, Daniel Ek, i cili interesimin e tij e ka zbuluar në rrjetet sociale.
“Si fëmijë duke u rritur, unë kam brohoritur për Arsenalin për aq kohë sa më kujtohet. Nëse KSE do të dëshironte të shiste Arsenalin, unë do të isha i lumtur të hidhja kapelën time në ring”, ka shkruar Ek në Twitter.
As a kid growing up, I’ve cheered for @Arsenal as long as I can remember. If KSE would like to sell Arsenal I'd be happy to throw my hat in the ring.
— Daniel Ek (@eldsjal) April 23, 2021
Kush është Daniel Ek?
Sipërmarrësi suedez Daniel Ek ka pasuri rreth 3.38 miliardë funte, sipas Forbes, me pasurinë e tij të ndërtuar me anë të shërbimit të transmetimit të muzikës me kompaninë e njohur Spotify.
38-vjeçari e themeloi atë sipërmarrje në vitin 2006 dhe është rritur duke grumbulluar mbi 350 milionë abonentë.
Megjithatë, jo të gjithë i kanë marrë me mirësi paralajmërimet e Ek për blerjen potenciale të Arsenalit.
“A mund të kërkojmë që ju t’i rregulloni gjërat me muzikantë përpara se të futeni me futbollistë??”, ka shkruar në Twitter vokalisti i rok-grupit Charlatans, Tim Burgess.
Në anë tjetër, Graeme Souness bëri shaka me Ek duke thënë se ai do të duhej të shpenzonte më shumë se 4 miliardë funte për të blerë Topçinjtë, të cilët e gjejnë veten në vendin e nëntë në tabelën e Ligës Premier. /Telegrafi/