Site icon Telegrafi

Themeluesi i Kujtesës dhe FiveStars i bashkohet PDK-së

Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), sot i është bashkuar edhe Fiton Peja, një ndërmarrës i ri dhe shumë i suksesshëm. Aderimi i tij në PDK u bë publik nga vetë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Peja njihet si themelues i kompanisë Kujtesa dhe rrjetit të fitnesit Five Stars.

“Kam nderin ta prezantoj anëtarin më të ri të ekipit tonë për një Fillim të Ri. Pata bisedë të ngrohtë me Fiton Pejën, një ndërmarrës të shkëlqyer kosovar. Ai tashmë ka themeluar disa biznese ku punëson mbi 600 qytetarë – nga sektori i telekomit e deri tek industria e sportit. Kjo është fuqia e Kosovës – burra dhe gra që po ecin përpara me ide dhe energji të reja. #FillimiRi me ndërmarrësit e rinj, sjell investime të fuqishme në fabrikat për shtimin e kapaciteteve tona prodhuese. #FillimiRI”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Fiton Peja është themelues, aksionar, partner menaxhues, anëtar dhe kryesues bordi në disa kompani, brenda dhe jashtë Kosovës. Duke tërhequr investitorët ndërkombëtarë si aksionarë në kompanitë që ai drejton, Peja ka themeluar edhe kompani të reja të suksesshme.

Fokusi i tij ka qenë kryesisht tek industria e telekomunikimit, por viteve të fundit ai është i pranishëm edhe në industrinë e fitness-it, procesimit të drurit, logjistikës dhe këshillimeve financiare. /Telegrafi/

Exit mobile version