Joël Bouzou, themelues dhe president i “Peace and Sport”, dhe i Shoqatës Botërore të Olimpistëve ka vizituar sot Prishtinën dhe është pritur nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.
Ai po qëndron në Kosovë për herë të parë, për t’u informuar për gjendjen e sportit kosovar, të arriturat dhe sfidat që përballet ai, sidomos rreth çështjes së ndërkombëtarizimit të tij.
Ministri Krasniqi e falënderoi zotin Bouzou për ftesën në pjesëmarrje në Forumin ‘Peace and Sport 2013’, e cila ishte një mundësi për të promovuar edhe më shumë sportin dhe Kosovën në përgjithësi në arenën ndërkombëtare. Ai po ashtu e falënderoi atë për ndihmën që ka dhënë në pranimin e Federatës së Pentatlonit Modern të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Pentatlonit Modern, në të cilën Bouzou është nënkryetar.
Ministri, gjithashtu e informoi kryetarin Bouzou për problemet që ballafaqohet sporti kosovar në thyerjen e izolimit, ku problemet politike që ka vendi ynë me fqinjin, Serbinë, bëjnë që Kosova të përballet me sfida të njëpasnjëshme.
“Në aspektin politik, ne mundohemi të bëjmë maksimumin për të pasur qasje në ndërkombëtarizimin e sportit tonë, por, politika i ka edhe kufizimet e saj. Ndërkaq me kontributin tuaj do të kemi edhe një qasje prej një perspektive tjetër. Kombinimi i këtyre dy qasjeve do të ndikonte në përshpejtimin e këtij procesi”, tha ministri Krasniqi. Ai tha se Kosova synon që të vazhdojë bashkëpunimin me ‘Peace and Sport’ pasi është një nga rrugët më të mira për ta promovuar idenë e paqes përmes sportit.
Ndërsa Bouzou e përgëzoi ministrin Krasniqi për paraqitjen dhe kontributin e tij në sesionin e parë të Forumit Ndërkombëtar ‘Peace and Sport 2013’ mbajtur në Monako, nën patronatin e Princit Albert II. Ai vlerësoi se prezantimi i Kosovës në këtë konferencë ka zgjuar vëmendjen e shumë përfaqësuesve të sportit nga e mbarë bota. Bouzou tha se puna e madhe e shtetit të Kosovës dhe komunitetit sportiv në Kosovë për ndërkombëtarizim është mjaftë energjike.
Gjithashtu, ai theksoi se është në Kosovë për të parë gjendjen e sportit dhe mundësinë për të ndihmuar në aspekte të ndryshme sportin kosovar sidomos në thyerjen e izolimit të tij, duke përdorur atë që quhet ‘diplomaci e butë’ në sport. /Sporti1/Telegrafi/