Duke e kuptuar rëndësinë e orientimit për karrierë për nxënësit e shkollave profesionale, Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) ka themeluar Qendrën për Karrierë në SHMLT “11 Marsi” në Prizren.
Kjo qendër, inaugurimi i së cilës do të bëhet sot, është themeluar si rezultat i një partneriteti dhe bashkëinvestimi në mes të Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur dhe projektit Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE) i Agjencisë Zvicërane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Qendra për Karrierë do të ndihmojë rreth 1,500 nxënës të kësaj shkolle për të zhvilluar një karrierë të suksesshme arsimore, profesionale dhe jetësore, si dhe ndërlidhjen më të mirë me tregun e punës.
Drejtori i kësaj shkolle profesionale, Xhelal Susuri do ta mirëpresë këtë ceremoni, ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe mysafirë tjerë nga MASHT, komunat tjera dhe partnerë lokalë dhe ndërkombëtarë janë të ftuarit e ceremonisë.
Nxënësit e tanishëm, nxënësit e ardhshëm, nxënësit e diplomuar, të rriturit që braktisin shkollën, bizneset, prindërit dhe komuniteti në përgjithësi do të përfitojnë nga kjo qendër për karrierë.
Kjo qendër gjithashtu do të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen e regjistrimit të të rinjve në këtë shkollë profesionale, do të përmirësojë vetëdijësimin e prindërve dhe do të forcojë marrëdhëniet me sektorin privat dhe tregun e punës.
Përveç qendrës për karrierë në Prizren, janë themeluar edhe tetë qendra të tjera në shkolla profesionale të ndryshme në Kosovë me mbështetjen e projektit Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe në partneritet me institucionet lokale dhe qendrore.