Telegrafi

Themelohet agjencia për nxitjen e eksportit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, në konferencën e fundvitit për media vlerësoi se sivjet janë shënuar shumë të arritura në ministrinë që ai drejton. Ndonëse sivjet ka rënë ndjeshëm niveli i investimeve të huaja direkte, ai vlerësoi se agjencia për promovimin e investimeve ka zhvilluar mjaft aktivitete për promovimin e klimës për investime në Kosovë.

Duke përmendur të arriturat në secilin departament, Zharku theksoi se gjatë këtij viti janë regjistruar mbi shtatë mijë e 200 biznese të reja, kurse janë shuar një mijë sosh. Zyra për regjistrimin e pengjeve ka regjistruar mbi 16 mijë pengje dhe ka filluar hapja e qendrave të biznesit nëpër komuna. Njëkohësisht është kompletuar pakoja ligjore për themelimin e zonave ekonomike, kurse gjatë vitit të ardhshëm do të përkrahet ndërtimi i zonave industriale nëpër qendra të ndryshme të vendit.