Site icon Telegrafi

Thellohet skandali “Volkswagen”

Skandali që ka vënë në qendër të kritikave grupin Volkswagen, ka marrë përmasa më të mëdha, duke u shpërndarë kështu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejt Azisë.

Korea e Jugut tashmë ka nisur hetimet për tre nga modelet e kompanisë. Mashtrimi me testet anti-ndotje, duke manipuluar sasinë e emetimit të gazrave ndotëse, ka shkaktuar trazira të mëdha. Vetë administratori i përgjithshëm i kompanisë e ka pranuar mashtrimin. “E djallosëm” theksoi Michael Horn.

Pas hapjes së tregjeve ditën e Hënë, aksionet e Volkswagen humbën rreth 20%. Kompania ndërkohë rrezikon një gjobë të majme, që mund të arrijë deri në 18 miliardë dollarë. Mësohet se kompania, ka vënë mënjanë 6.5 miliardë dollarë, për të mbuluar kostot e gjobës.

Ndërkohë, departamenti amerikan i drejtësisë ka ngritur një padi penale ndaj grupit që prodhon edhe modelet e Audit. Në rast se autoritetet koreane do të arrijnë në përfundimin se, makinat me motorr Diesel të Volkswagen të prodhuara në vitet 2014-2015 janë me probleme, atëherë hetimi do të zgjerohej deri në Gjermani. Komisioni Europian ndërkohë shprehet se është shumë shpejt për të vlerësuar nëse problemi e prek edhe Europën. Edhe në Australi pritet të fillojnë hetimet shumë shpejt.

Është ende e paqartë sa do të jetë kosto totale e skandalit të prodhuesit gjerman të makinave, që nga ana tjetër rrezikon të përballet edhe me padi nga blerësit. Ndërkohë, shitja e modeleve nën akuzë është pezulluar në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Edhe shitësit me pakicë shprehen të shqetësuar, pasi aktiviteti i tyre ka ngecur, falë disa kontratave të kthyera pas. Grupi Volkswagen së fundmi i ka marrë stafetën Toyotas si prodhuesi më i madh i makinave në nivel global. Por, ky skandal duket se do ti kushtojë shtrenjtë. /Telegrafi/

Exit mobile version