Site icon Telegrafi

Thellohet skandali Overmars: U dërgonte në foto organet gjenitale kolegeve

Futbolli holandez është tronditur nga skandali ku është përfshirë një figurë e rëndësishme si Marc Overmars, i akuzuar se u ka dërguar mesazhe të papërshtatshme me përmbajtje seksuale disa kolegeve të tij.

Ish-futbollisti i Ajaxit, Arsenalit dhe Barcelonës është shkarkuar nga detyra e drejtorit sportiv të klubit holandez. Tashmë mediat në Holandë kanë nisur të zbardhin detaje shumë të zymta, që ngrenë shumë pikëpyetje rreth figurës së ish-futbollistit të kombëtares së “Tulipanëve”.

Sipas të përditshmes Het Parool, Overmars i ka shoqëruar mesazhet e tij me imazhe të organeve gjenitale. Një tjetër gazetë prestigjioze në Holandë, NRC, njoftoi do të publikojë më shumë detaje rreth rastit.

Lexo po ashtu Skandal te Ajaxi, legjenda e klubit largohet pasi u raportua për ngacmime seksuale ndaj kolegeve

Hetimi, i publikuar edhe nga “Het Parool”, nisi si pasojë e skandalit të dalë në “The Voice of Holland”, një program televiziv, transmetimi i të cilit u pezullua për shkak të ankesave të disa prej anëtarëve të tij.

Skandali me ish-futbollistin e Holandës ka nxitur reagimin e federatës holandeze, e cila kërkon bashkëpunimin e të gjitha klubeve në përpjekje për të zhdukur sa më shpejt këtë lloj sjelljeje.

Dy figura të tjera janë vënë në pikëpyetje pas skandalit: i pari është Erik Ten Hag i cili, sipas De Telegraaf, mund të largohet nga klubi për shkak të miqësisë së tij me Overmars.

Miti tjetër i klubit, që është gjithashtu në qendër të vëmendjes, është Edwin Van der Saar. Vetë De Telegraaf vë në pikëpyetje figurën e ish-portierit holandez dhe e pyet nëse kishte informacion për sjelljen e kolegut dhe mikut të tij. /Telegrafi/

Exit mobile version