Shqipëria është në gjendje emergjence energjetike prej muajit tetor.
Thatësira, çmimet e larta të importit dhe vështirësitë që po dalin nga lufta në Ukrainë, po thellojnë këtë krizë.
Në janar-shkurt, Shqipëria importoi energji me çmim mesatar 186 euro, ndërsa në ankandet e deritanishme të marsit ka blerë energji mesatar 249 euro.
Qeveria po kërkon të kursehet ku është e mundur, por pa goditur familjet apo biznesin në faturat mujore.
“Duke pasur parasysh konsumin e lartë të energjisë për shkak të temperaturave të ulëta dhe faktin që prodhimi vendas është ulur ndjeshëm për shkak të mungesës së reshjeve, jemi të detyruar të dalim në import”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Hidrocentrali i Fierzës nuk ka ujë mjaftueshëm për të prodhuar energji. Madje ai është në nivelin më të ulët, në krahasim edhe vitet e kaluara këtë periudhë. Për këtë arsye, OSHEE dhe KESH kanë nevojë të blejnë.
Kryeministri Edi Rama tha disa ditë më parë se energjia deri në fund të këtij viti mund të kushtojë mbi 600 mln euro, për shkak të çmimit të rritur në bursë./Euronews Albania