Telegrafi

Thellohet deficiti tregtar në Shqipëri

Instituti i Statistikave ka njoftuar se në fund të muajit korrik të këtij viti, deficiti në shkëmbimet tregtare arriti vlerën alarmante të 26.5 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 6.5 për qind kundrejt muajit paraardhës dhe një rritje prej 24.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shifrat e mësipërme tregojnë se vetëm në harkun kohor të një viti, deficiti tregtar në Shqipëri është rritur me më shumë se 5.9 miliardë lekë.

Thellimi i deficitit ka ardhur si pasojë e rritjes më të ndjeshme të importeve kundrejt i eksporteve. Nga të dhënat e INSTAT-it, rezulton se në korrik u importuan 37.5 miliardë lekë produkte, ose 22.4 për qind më shumë se gjatë të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërkohë që eksportet arritën në 11 miliardë lekë, me vetëm 18.7 për qind rritje kundrejt korrikut të vitit të kaluar.

Përkeqësimi i bilancit tregtar tregon për nivelin e ulët të prodhimit vendas dhe për konkurrencën e paktë që iu bëhet mallrave të importit.

Gazeta shkruan se, rritja e deficitit tregtar është, gjithashtu, tregues se Shqipëria po del me humbje nga tregtia me vendet partnere, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve të integrimit në fushën e ekonomisë.

Aktualisht, Shqipëria është pjesë e marrëveshjes së CEFTA-s, që parashikon reduktim të ndjeshëm të tarifave doganore me vendet e rajonit. Në fuqi prej mëse një viti e gjysmë është edhe pjesa ekonomike e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila parashikon ulja të barrierave doganore me vendet e Bashkimit Evropian.

Me këto vende, Shqipëria realizon edhe 67.9 për qind të shkëmbimeve tregtare, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.