Telegrafi

Thellohet bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK-së) Shpend Maxhuni, i shoqëruar nga stafi i lartë i tij,  ka pritur sot në takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, i cili po shoqërohej nga zyrtarë të lartë policor të shtetit.

Drejtori Maxhuni i njoftoi mysafirët për angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës si dhe përkushtimin e vazhdueshëm në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.

Ai tha se Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Maxhuni tha se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të shkëlqyer me autoritet policore të Shqipërisë, bashkëpunim ky i cili ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta policore.

Ndërsa drejtori i Policisë së Shqipërisë Veliu vlerësoi lart punën e Policisë së Kosovës, në veçanti në bashkëpunimin e deritanishëm të treguar me autoritetet policore të Shqipërisë.

Drejtori Veliu konfirmoi se do t’i kushtojë rëndësi vazhdimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët policor, duke përfshirë edhe lehtësimin e kalimit kufitar.

Gjatë takimit u zotua për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, duke përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave policore përmes zyrtarëve policor, trajnimeve në fusha të ndryshme me qëllim të avancimit të mëtejmë të të dy policive, e që kanë synime të përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë atë trans kufitar. /Telegrafi/