Gjatë ditës së dytë të vizitës në Izrael, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është pritur nga homologu i saj izraelit Yair Lapid.
Në fillim të takimit, siç bëhet e ditur nga komunikata për media, Gërvalla ka shprehur konsideratën e lartë për shtetin e Izraelit nga Qeveria dhe populli i Kosovës, duke vlerësuar njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit si një ngjarje shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës.
Ministrja Gërvalla e njoftoi homologun e saj me zhvillimin e gjithmbarshëm dhe progresin e arritur në Kosovë, angazhimin e Qeverisë së Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe orientimin strategjik për integrime euro-atlantike.
Gjatë takimit Gërvalla e falënderoi ministrin Lapid për pritjen shumë të ngrohtë dhe gatishmërinë e shprehur për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, arsimin, teknologjinë dhe inovacionin, edukimin, shkencën, kulturën, kinematografinë, e dëshmuar me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushat përkatëse.
Gjithashtu, në vazhdim të vizitës në Izrael, Gërvalla, vizitoi sot qendrën përkujtimore Yad Vashem në Jeruzalem, ku u njoh nga afër me historinë tronditëse të Holokaustit, të dokumentuar në mënyrë shumë mbresëlënëse në këtë qendër përkujtimore.
Gjatë ceremonisë zyrtare, ministrja Gërvalla ndezi flakën e përhershme dhe vendosi një kurorë me lule në emër të Republikës së Kosovës. Më pas, ministrja Gërvalla vizitoi pavionin e ndërtuar në kujtim të një milion e gjysmë fëmijëve të vrarë gjatë Holokaustit dhe pas një shënimi në gjuhën shqipe në Librin e Përkujtimit iu drejtua të pranishmëve me një fjalim të shkurtër.
Kjo vizitë shënon vizitën e parë të një përfaqësuesi të Republikës së Kosovës në qendrën më të rëndësishme në kujtim të Holokaustit.