(Poetit arbëresh, Zef Kakoca)
Ndërroi jetë vëllai, iku, shkoi,
moj e mira Arbëri,
po kush mbeti të të këndoi
urtësisht sikur ai?
Sot, rri heshtur vjershërimi
në degë ulliri e lëkurë dheu
qau dhe qielli nga trishtimi
një lot nxor dhe Skënderbeu.
Gjitonia mblidhet shesheve,
hap i rënd peshohet udhëve,
po kush mbeti ta gjalloi
Milosaon e katundeve?
Kush do e zgjojë Konstandinin?
Besë e arbrit – Arbëri,
përtej detesh fluturimin,
motërmirën ta kthejë n’shtëpi!
Me shaminë e zonjës mëmë
nga çdo skenë i fliste qiellit
së: arbërorët janë një brumë
qëkur mbi dhé ra rrezja e diellit!
Shpurë e shtangë mallmadhi i Motit
tej Moresë – Shqipërisë
tek po ngjitej n’preher të Zotit
vëllai thelbor i Arbërisë.
Po kush mbeti ta jetësoi
atë: URËN PËRMBI DET?
Qëkur zemra e tij pushoi
një pellg lotësh ra ndërmjet.
Kjani trima arbëreshë
dhe ju vasha iliriote,
kënga i tij do rrojë mes nesh
siç Arbëria rron ndër mote!
/Telegrafi/