Site icon Telegrafi

Thelbi i problemit

Të merresh sinqerisht me thelbin e ndonjë problemi të caktuar, do të thotë se gjysmën e problemit e ke tejkaluar suksesshëm, sepse ai që ka arritur të futet në thelbin e problemit, lëvozhgën e problemit as që e konsideron si të tillë, mbase paraprakisht edhe do të ketë mundësi që ta identifikojë lëvozhgën, për të cilën s’do të ketë fare frik, sepse i mjafton njohja e hollësishme dhe mbikëqyrja permanente e thelbit të problemit. S’duhet anashkaluar faktin e atyre që aq shumë zhyten në thelbin e ndonjë problemi të caktuar, sa që harrojnë se një vërtitje të këtillë të mundimshme dhe të kushtueshme, janë duke e bërë në një livadh të huaj, madje në livadhin e atij që kaherë kishte hequr dorë prej përkujdesjes dhe mirëmbajtjes së atij livadhi.

Mundohem të futem nën lëkurën e atyre që për këtë komb dhe për këto të drejta dhanë djem filiza, baballarë, gjymtyrë që e tërë pasuria e botës s’do të mund t’ia zëvendësonte, si dhe djersë të pallogaritshme, përmes të cilëve, përgjithmonë trumbetohej të thahej fara e padrejtësive nëpër këto vatra të ngjyrosura me gjak. Nga një vegim i tillë me shpejtësinë e rrymës u detyrova të largohem, edhe atë pikërisht kur dëgjova tash së fundmi prej partisë shqiptare në pushtet se, thelbi i problemit tonë është zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë. Ndonëse ne shqiptarët s’paskemi probleme të tjera, madje që mos të rrimë kështu kot së koti, qenka mirë që diskursin zgjidhës të problemeve ta orientojmë nëpër ara dhe livadhe të huaja, për të cilat kryeministri (pronari i këtij livadhi) kaherë kishte hequr dorë. Ky kishte hequr kaherë dorë prej zgjidhjes së kontestit me emrin, por këtë shkujdesje s’e kishte lënë edhe pa kujdestarë, porse edhe këta s’e kishin lënë pa punë udhëheqësin e tyre, puna e të cilit ishte mosrealizimi i projekteve të mëdha dhe të vogla shqiptare, ofendimi në mënyrë permanente dhe institucionale i shqiptarëve, si dhe absurdet tjera të panumërta që realisht e pllakosën të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm në ditë të errëta dhe në net të mjegullta, duke mos mundur kështu shqiptarët të bëjnë gjumë të rehatshëm.

Zgjidhja e statusit të dëshmorëve të 2001-shit, vazhdon të gjymtohet edhe më tutje në pellgun e premtimeve boshe. Për Marrëveshjen e Ohrit kanë filluar të flasin gjyshet në cilësinë e përrallëzave të bukura. Thërrmijat e buxhetit të shtetit duket se na ngopën mjaftueshëm, ashtu siç qe ngopur ariu me miza. Debati i stërzgjatur rreth projektit, “sheshi Skënderbe”, duke u kënaqur kështu vetëm me pamjen virtuale të dizajnuar shkëlqyeshëm, kurse projektin, “Shkupi 2014” nuk patëm rast ta shohim të dizajnuar kështu, sepse lopata e shpejtë e kryeministrit e bëri të vetën, madje në atë kohë kishte ndodhur një sinkronizmit tejet interesant. Në kohën kur kryeministri hodhi lopatën e parë për të ndërtuar të kaluarën e humbur të vendit të tij, e freskëta shqiptare ia kishte mbathur nëpër metropolet evropiane, por identifikimi i shpejtë i thelbit të problemit (thelb i problemit në bazë të funksionarëve barkmëdhenj s’kishin qenë kushtet e rënda ekonomike dhe sociale, por rënia e tyre në grepin mashtrues të disa agjencive turistike, sa qesharake), ndikoi që ata të kthehen në vendlindje, duke i premtuar punë dhe investim në infrastrukturë, mbase edhe duke i gjobitur disa agjenci turistike (tashmë edhe si premtim është harruar, të mos flasim për ndonjë veprim konkretë drejtë mbajtjes së asaj fjale të dhënë).

Vrasja dhe burgoja e ish-ushtarëve të lirisë, si dhe qëndrimi besnik i mëtejmë të shqiptarëve në pushtetin sakatues, duke mos u solidarizuar fare me ish-shokët e dikurshëm të idealit, mbase në njëfarë mënyre duke i quajtur edhe tradhtar, të rënët. Punësimi shtëpiak i administratorëve shqiptarë dhe i disa këshilltarëve shtetëror, për t’ia liruar vendin institucional administratorëve maqedonas, sepse ata asnjëherë s’ishin mësuar të qëndrojnë në shtëpi të papunë, përkundër numrit të vogël të anëtarëve të familjes, duke e lënë kështu bosh shtëpinë, kurse shqiptarët tanë e kishin zgjedhur të kundërtën, përkundër numrit të madh të anëtarëve në shtëpi (më tepër se gjysma të pa punësuar) edhe këta të punësohet në shtëpi, por të kryejnë punë për administratën e shteti, sepse për një gjë të tillë paguhen sikurse ata që punojnë drejtpërsëdrejti nëpër ministri dhe institucione të ndryshme. Për gabimet dhe shtrembërimet e historisë, gjuhës dhe gjeografisë shqiptare, përmes dhuratës së Ministrisë së Arsimit, s’kemi çfarë të flasim, sepse vetë librat flasin, duke bashkëbiseduar dhe bashkëpunuar me nxënësit, duke mos u habitur pastaj në konstatimet e nxënësve shqiptarë rreth faktit të sajuara prej të mëdhenjve, gjoja se shqiptarët në këtë shtet qenkan ardhacak, si dhe shumë probleme të tjera, që edhe nëse sot e dhjet vjet apo më shumë përpiqemi të shtjellojmë mishmashe të këtilla, prapë do ta shohim vetën të vogël dhe të sfiduar përballë atij vargmali të stërmbushur me probleme të karakterit diskriminues dhe kolonizues.

Kësisoj, nëse partia shqiptare në pushtet pohon edhe më tej se thelbi i problemit të tyre është zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, atëherë për neve, mbase votuesve fisnik të tyre, thelbi dhe lëvozhga e problemit jeni ju, të cilët jeni zhytur thellë në livadhin e kryeministrit, por kujdes se mund të hasni në ndonjë gjemb të fortë, e pastaj të njëjtin ta akuzoni për pabesi, porse atëherë do të jetë vonë, ngase ata që ia dhanë votën dikur, për gjëra të ngjashme do t’ju akuzojnë turpshëm edhe juve.

Exit mobile version