Ministri i FSK-së Rrustem Berisha i shoqëruar nga komandanti i FSK-së gjenerallejtënant, Rrahman Rama, ka pritur sot Raymond Theberge komisionar për gjuhët zyrtare në Kanada, i cili shoqërohej nga ambasadori i Kanadasë për Kroaci dhe Kosovë, Daniel Maksymiuk.
Ministri Berisha e ka njoftuar komisionarin Theberge me zhvillimet dhe aktivitet në FSK, kapacitet operacionale, përfaqësimin e komuniteteve pakicë nga tërë territori i Kosovës, prezencën e gjinisë femërore, përdorimin e gjuhëve zyrtare, si dhe faktin se FSK-ja është institucioni më i besuar nga qytetarët e vendit.
Ai vuri theksin në integrimin e komuniteti serb në radhët e FSK-së përfshirë ata nga pjesa veriore.
Sipas tij, FSK-ja tashmë ka kaluar shifrën 10% të pjesëmarrjes së komuniteteve pakicë. Ai po ashtu foli edhe për përfaqësimin e gjinisë femërore në FSK, i cili vlerësohet i mirë dhe me tendencë rritjeje, duke theksuar se tash FSK-ja për herë të parë ka një femër me gradë gjenerali.
Po ashtu, ministri ka folur edhe për bashkëpunimin e mirë që ekziston me shtetet fqinje të rajonit, NATO-n, Ekipin Ndërlidhës Këshillues të NATO-s (NALT-in) dhe KFOR-in; ushtrimet e përbashkëta, trajnimet dhe shkollimet e kadetëve të FSK-së jashtë vendit si dhe pjesëmarrjen aktive të FSK-së në ushtrimet fushore jashtë vendit së bashku me shtetet partnere.
Duke u bazuar në vullnetin e dyanshëm për bashkëpunim, ministri Berisha ka parashtruar fushat me interes për bashkëpunim në mes të dy ministrive përkatëse, MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Kanadasë. Përveç fushave ekzistuese ky bashkëpunim të jetë më shumë i përqendruar në fushën e trajnimeve, çështjes së komuniteteve dhe në mbështetjen për integrime në organizata të sigurisë dhe në misione paqeruajtëse aty ku FSK-ja ka kapacitete të dëshmuara.
Nga ana e tij, Raymond Theberge, komisionar për gjuhët zyrtare në Kanada, shprehu përgëzimet për arritjet e FSK-së në fushën e integrimeve të komuniteteve pakicë veçanërisht për faktin se FSK-ja tash ka filluar të ketë mbështetje edhe në veri.
Ai vlerësoi lart faktin se FSK-ja përfaqëson dhe reflekton shkallën e diversitetit të komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Theberge shprehu bindjen se modeli kanadez do të jetë i dobishëm edhe për realitetin e Kosovës, duke shprehur edhe gatishmërinë personale për të kontribuar në këtë drejtim. Ai po ashtu vlerësoi lart edhe shkallën e bashkëpunimit të deritashëm në mes të Ministrisë së Mbrojtjes së Kanadasë dhe MFSK-së.
Të pranishëm në takim ishin edhe shefi i kabinetit të ministrit, Jashar Ramadani, gjeneral brigade Irfete Spahiu, komandante e KDS-së dhe Sinan Geci, shef i Sektorit për Integrime Euro Atlantike. Kurse nga delegacioni kanadez ishin kolonelët nga Forcat e Armatosura të Kanadasë, Anthony Thys dhe Pierre Ouellet.