Telegrafi

The Economist: Rrezikohet rritja ekonomike

Në një interviste për Top Channel, Richard Eames, ish-analist për çështjet ekonomike të rajonit në revisten prestigjoze “The Economist”, tani drejtor i konferencave, paralajmëron se ekziston rreziku që ekonomia të reduktojë ritmet e rritjes në 2009-ën.

“Parashikimet tona për vitin 2009 ishin fillimisht për një rritje prej 6 përqind, por javët e ardhshme ne do të rishikojmë sërish shifrat. Sinjalet janë se shifra do të jetë pak më e ulet. Megjithatë, edhe nëse ekonomia juaj do të rritej me 5 përqind, kjo shifër do të ishte shumë më e larte nga ajo e çdo rritjeje në SHBA, eurozone, Japoni apo Britani. Pra është sërish një rritje e mire”, deklaron Eames.

Ai liston disa faktorë për të argumentuar këtë parashikim. “Rreziku është që investimet e huaja mund të ulen edhe pse jo në shifra drastike. Investitorët ndodhen nën presion. Po kështu, ne parashikojmë që edhe ritmet e kredisë të pësojnë një ngadalësim, i cili mund të jetë me i ndjeshëm vitin e ardhshëm. Nga ana tjetër është dhe fakti që ju po hyni në një vit elektoral, i cili mund të shkaktojë ndërprerje të privatizimeve dhe t’i vendosë investitorët e huaj në një situate pritjeje”, pohon Eams.

Për të minimizuar efektet e krizës, analisti këshillon një mbikëqyrje të fortë të Bankës Qendrore. “Duhet mbajtur një sistem bankar i forte. Kjo është e rëndësishmja për Shqipërinë për te minimizuar kostot”, shton Eams.