Burrat që duan një fëmijë do të duhej njësoj si edhe gratë të kujdesen për ushqimin
Shkencëtarët kanë treguar që mungesa e thartirës folike te meshkujt e kafshëve para ngjizjes mund të rrezikojë shëndetin e të vegjëlve të tyre.
Për shkak të mungesës së thartirës folike shënimi i gjenomit në spermë ndryshon dhe po kështu edhe aktiviteti i gjeneve.
Ky studim kohë më parë është publikuar në revistën „Nature Communications“. Thartira folike është një vitaminë e cila mund të gjendet në tharm, filiza të grurit, perime me gjethe jeshile, mish dhe peshk. Zakonisht shtohet edhe në kripën e kuzhinës, transmeton Telegrafi.
Grave të cilat dëshirojnë të kenë fëmijë u rekomandohet që më herët të rrisin marrjen e thartirës folike në formë shtese në ushqim.
Është treguar që në këtë mënyrë zvogëlohet rreziku i dukurive të caktuara të deformiteteve te bebet, si p.sh. e ashtuquajtura vrimë e shtyllës kurrizore (Spina bifida).
Ndryshimet gjenetike për shkak të mungesës së acidit folik
Shkencëtarët tani po testojnë te minjtë nëse dieta e meshkujve ka një efekt të ngjashëm në shëndetin e fëmijës. Ata më pas, ndër të tjera, u dhanë minjve shtatzëna dhe pasardhësve të tyre meshkuj ushqim me një sasi jashtëzakonisht të ulët të acidit folik.
Hulumtimet në spermën e këtyre kafshëve treguan shenja epigjenetike të ndryshuara të gjenomit. Ndryshimet epigjenetike nënkuptojnë modifikime kimike të ADN-së. Ato ndikohen nga faktorë të jashtëm mjedisor si dhe nga sjellja, si duhani, alkooli dhe dieta dhe ndryshojnë aktivitetin e gjeneve. Shkencëtarët vetëm kohët e fundit kanë arritur të tregojnë te minjtë se në këtë mënyrë, me sa duket mund t’ua përcjellin përvojat e tyre pasardhësve të tyre.
Mundësi më e madhe e deformimeve kur mungon acidi folik
Studiuesit tani kanë zbuluar disa ndryshime në gjene që luajnë një rol në shfaqjen dhe zhvillimin e disa sëmundjeve kronike, si kanceri dhe diabeti, në rastin e mungesës së acidit folik. Dy gjene të tillë u ndryshuan si në spermë ashtu edhe në placentë të femrave, gjë që e bën të pranueshëm supozimin e transmetimit të ndryshimeve.
Këlyshët e brejtësve me mungesë të acidit folik kishin padyshim më shumë gjasa të lindnin me deformime sesa kontrollet, të cilët morën acid folik të mjaftueshëm: 27% e kafshëve të reja me mungesë acidi folik kishin deformime të dukshme anatomike, kryesisht në skelet, si në kafkë ose në shtyllën kurrizore. Në grupin me marrjen e kontrolluar të acidit folik, përqindja ishte vetëm 3%.
Studimi sugjeron se ka zona të spermës që reagojnë ndaj faktorëve mjedisorë si dieta, shkruajnë studiuesit. Mund të ndodhë që këto rajone të pasqyrojnë të ashtuquajturat harta epigjenetike, e cila ndikon në zhvillimin dhe ndoshta më vonë në metabolizmin e fëmijës, si dhe sëmundjet e tij. /Telegrafi/