Telegrafi

Thaqi pas eliminimit nga garat ndërkombëtare: Eksperiencë e jashtëzakonshme, duhej të fitonim pikë me Sivassporin në shtëpi

Mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi, ishte i pari që komentoi humbjen ndaj Slavia Pragës, ku kjo disfatë e vulosi eliminimin e skuadrës tonë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Thaqi deklaroi se përtej rezultateve, skuadra ka marrë një eksperiencë fantastike me pjesëmarrjen në këtë garë.

“Edhe sot mendoj se luajtëm deri në fund dhe nuk është se krijuam shumë raste të mira, por edhe kundërshtari nuk krijoi. Na ndëshkuan me një mungesë përqendrimi në goditje standarde. Është një humbje që dhemb, por futbolli është i tillë dhe ne duhet të pranojmë këtë rezultat”, ka thënë fillimisht Thaqi.

Ai ka thënë se Ballkani ka mundur të merr më shumë pikë me Sivassporin në ndeshjen e shkuar.

“Unë mendoj se duhej të kishim marrë më shumë në ndeshjen e kaluar me Sivassporin, për të rritur shanset. Duhej të kishim marrë më shumë pikë, por gjithsesi kemi marrë një përvojë të jashtëzakonshme në këtë kompeticion, që do të na shërbejë shumë të gjithëve në të ardhmen”, përfundoi Thaqi.

Ballkani me këtë humbje eliminohet nga garat evropiane, pasi ka vetëm 4 pikë pas pesë ndeshjesh. /Telegrafi/