Telegrafi

Thaçi zotohet se do të angazhohet që të rinjve tu krijohen kushte të mira për edukim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është zotuar se do të angazhohet më shumë që të rinjve tu krijohen kushte për edukim dhe zhvillim profesional.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, u shpreh se Kosova është e bekuar me të rinjtë të cilët janë të përkushtuar ndaj shtetit.

“Kosova është e bekuar me të rinjtë e saj të përkushtuar ndaj shtetit, punës dhe kultivimit të vlerave në funksion të zhvillimit të vendit. Në çdo periudhë historike, rinia ishte promotore e ndryshimeve pozitive. Dhe, unë, ndonëse e kujtoj me nostalgji rininë time, që nga ajo kohë angazhohem për më shumë mundësi për rininë, vend më të mirë për çdo qytetar dhe shtet më të fortë për popullin tonë”, shkruan Thaçi.

Presidenti tha se në Ditën Botërore të Rinisë është zotuar që të angazhohet për krijimin e kushteve më të mira për edukim.

“Edhe sot kur shënojmë Ditën Botërore të Rinisë zotohem për më shumë angazhim, që të rinjve tanë t’u krijojmë kushte më të mira dhe infrastrukturë bashkëkohore për edukim dhe zhvillim profesional”, shkruan Thaçi. /Telegrafi/